Ramos: Mourinho nuk ka pasur asnjë ndikim në karrierën time

Ramos: Mourinho nuk ka pasur asnjë ndikim në karrierën time

Sergio Ramos, në prag të Superkupës së Europës që do të luhet të martën në mbrëmje në Shkup mes Real Madrid dhe Manchester United, është pyetur të krahasojë Mourinho-n me trajnerin e tij aktual, Zidane, i cili ka udhëhequr Real-in drejt dy triumfeve të njëpasnjëshëm në Champions League.

“Unë mendoj se një skuadër ndryshon kur ndërron trajner, çdo trajner është i ndryshëm për shkak të sistemit që përdor, taktikave dhe personalitetit që ka”, ka thënë kapiteni i ‘Los Blancos’.

“Nuk është e thënë që një trajner të jetë më i mirë se një tjetër. Ata janë thjesht të ndryshëm. Zizou është treguar shumë i aftë duke kuptuar mentalitetin e ekipit, edhe pse ka qenë edhe vetë futbollist. Ndoshta ky aspekt është një avantazh për të.

Unë besoj se të dy janë trajnerë të mëdhenj. Besoj se jemi me fat që po përjetojmë këtë moment historik me Zizou”.

Në vazhdim, Ramos ka minimizuar ndikimin që ka pasur Mourinho te karriera e tij, duke e zhvendosur nga mbrojtës i krahut të djathtë në qendërmbrojtës, shkruan Telesport.

“Nuk mendoj se kjo lëvizje ka ndryshuar karrierën time”, ka thënë ai. “Mourinho ka qenë thjesht një trajner tjetër me të cilin unë kam punuar në karrierën time si futbollit dhe unë gjithmonë kam mësuar nga të tjerët, që kur kam qenë një djalosh te Sevilla. Kështu që, i jam shumë mirënjohës, por nuk mendoj se Mourinho ka ndikuar te jeta ime si futbollist”, ka thënë Ramos.