Ramiz Lladrovci tregon sa i kushtuan biletat dhe nga cili buxhet shkuan

Ramiz Lladrovci tregon sa i kushtuan biletat dhe nga cili buxhet shkuan

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është parë dje në “Allianz Arena” bashkë me kryetarin e Skënderajt, Bekim Jasharin. Dy kryetarët nga Drenica e kanë ndjekur nga afër përballjen e Ligës së Kampionëve në mes të Bayern Munchen dhe Real Madrid

I kontaktuar nga Indeksonline, Lladrovci ka thënë se të gjitha shpenzimet e udhëtimit ishin private.

“Besoj se jeni në dijeni se lidhjen me futbollin e kam shumë të fuqishme, edhe para se të isha kryetar i komunës. Me Mynihun ndiej lidhje të veçantë ngase isha banor i kësaj qendre për shumë vite me familje. Jo vetëm lojën e djeshme, por edhe shumë lojë të tjera të Bayernit i kam patur ftesat me biletë për t’i përcjellur, ani pse nuk kisha kohë që të shkoja për t’i ndjekur. Gjithçka është e paguar nga burime private, edhe udhëtimi edhe bileta, edhe qëndrimi në Gjermani.

Në asnjë rast buxheti i komunës nuk ka pasur ngarkesë”, ka thënë Lladrovci.

Kujtojmë se Lladrovci dhe Jashari këtë edicion ishin edhe në Angli për të ndjekur derbin në mes të Arsenalit dhe Manchester Cityt. Lladrovci ka thënë se edhe në Angli shpenzimet kanë qenë private. Madje ai ka treguar edhe çmimet e biletave në të dy ndeshjet.

“Edhe herën e kaluar, të gjitha shpenzimet në Londër ishin mbuluar nga burimet private. Besoj se edhe fotot nga Londra kanë dëshmuar se nga kush ishim ftuar sepse kam bartur foto nga vendi i ngjarjes. Sa për kureshtjen Tuaj, bileta në Londër ka kushtuar 90 funte, ndërsa kjo në Munih, 150 euro. Shpenzimet, si çdo herë, mbulohen nga burimet private. E ritheksoj, nuk ishin vetëm këto dy ftesa për të përcjellë ndonjë ndeshje futbolli në Evropë, por për shkak të angazhimeve e përcjelli vetëm ndonjë të veçantë si kjo mbrëmë, apo ajo në Londër” ka thënë Lladrovci.