Ramiz Kelmendi kundër idesë së bojkotimit të produkteve serbe

Ramiz Kelmendi kundër idesë së bojkotimit të produkteve serbe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, i cili është pronar i ELKOS Grup, në marketet e të cilit gjen mjaft produkte të importuara nga Serbia, vlerëson se ideja e bojkotit dhe embargove ndaj Serbisë nuk është zgjidhja më e mirë.

Gjatë një ligjërate që Kelmendi e ka mbajtur sot para studentëve në Kolegjin Universum, citohet të ketë thënë se politikat e bojkotit po imponohen nga Serbia.

“Në lidhje me zhvillimet e fundit në raport me Serbinë zv. Kelmendi theksoi se përmes politikave të bojkotimit dhe embargove nuk mund të arrihet shumë larg mirëpo ky qëndrim po na imponohet nga pala serbe”, thuhet në komunikatën e Kolegjit Universum.

Por, për të njëjtën ngjarje, zyra e Kryeministrit lëshon një komunikatë, por askund nuk e përmend këtë detaj.

Pjesa kryesore e komunikatës së Kryeministrisë flet për punën që është duke bërë Qeveria në krijimin e kushteve më të mira për investitor të jashtëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investitorët e jashtëm, por edhe të brendshëm, në veçanti për të rinjtë që sapo kanë përfunduar studimin, duke i mbështetur me legjislacion të nevojshëm dhe krijimin e fondit për garantimin e kredive në të gjitha bankat e Kosovës”, ka thënë zv/kryeministri Kelmendi, citon komunikata e Qeverisë.

Pas incidenteve të fundit që i ka shkaktuar Serbia në raport me Kosovën, janë iniciuar fushata në rrjete sociale duke kërkuar bojkotimin e produkteve të Serbisë, duke e ri-aktualizuar këtë çështje./Insajderi.com