Ramazani brenda një kampi refugjatësh

Ramazani brenda një kampi refugjatësh

Afganët të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftës së brendshme dhe gjendjes së vështirë të jetesës dhe të cilët ndodhen në kampin e refugjatëve në rajonin Herat, në perëndim të vendit, kalojnë agjërimin në kushte tejet të vështira.

Refugjatët në kampin Shejdai, rreth 20 kilometra në afërsi të Herat, ndihmohen nga organizatat jo fitimprurëse, me qëllim lehtësimin e kësaj vështirësie.

Xhuma Nazar, një i ardhur bashkë me familjen e tij nga rajoni Kunduz dhe që banon në këtë kamp thotë për AA se kanë braktisur shtëpinë e tyre para 6 muajsh si pasojë e sulmeve të talebanëve në rajonin ku ato banonin.

Ai thotë se bashkë me bashkëshorten dhe 8 fëmijët e tij, ata përpiqen të qëndrojnë në jetë, ndërsa shton se agjërimin e mbajnë vetëm me bukë thatë.

Nazar thotë se për të siguruar bukën e gojës punon gjatë gjithë ditës dhe se disa herë i ka rënë edhe të fikët si rrjedhojë e të nxehtit.

Duke vënë në dukje se deri më tani asnjë OJF nuk ju ka ardhur në ndihmë atyre, Nazar në vijim shton se pret ndihmë nga bamirësit për të kaluar këtë muaj të bekuar.

Nazar thotë se kanë shitur çdo gjë që kishin në shtëpinë e tyre për shkak të varfërisë dhe se momentalisht nuk kanë as batanije për tu mbuluar.

Ndërsa duke vënë në dukje se kanë vështirësi madje edhe të gjejnë ujë të pijshëm në kamp, Nazar në vijim thotë se fëmijët sëmuren vazhdimisht dhe se ai nuk ka të ardhura të mjaftueshme për ti kuruar.

“Ah sikur në vendin tonë të mos kishte luftë dhe ne të qëndronim të qetë në shtëpinë tonë dhe të mund të mbajmë normalisht agjërimin”, thotë ai.

”Fëmijët punojnë”

Një grua e cila nuk dëshiron të identifikohet vë në pah kushtet e vështira të jetës në kamp, duke thënë se ka kaluar vërtetë ditë shumë të vështira. “Ndonjëherë nuk gjejmë dhe për të ngrënë dhe për këtë arsye fëmijët flenë të uritur”, thotë ajo dhe më pas shton se dy fëmijët e saj në moshë shkolle punojnë në treg për të siguruar para për ushqim, , raporton Anadolu Agency.

Refugjatja thotë se shumë herë e kalojnë agjërimin pa syfyr për shkak se nuk arrijnë të gjejnë diçka për të ngrënë, ndërsa shprehet se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ndihmë nga shteti.

Në Afganistan ka më shumë se një milion njerëz të cilët jetojnë në kushtet e refugjatëve në rajone të tjera nga ato ku banojnë për shkak të përleshjeve në mbarë vendin.

Gjendja e refugjatëve

Sipas Amnesty International, numri i refugjatëve në vend është rritur dy herë në krahasim me vitin 2013. Gjatë vitit të kaluar janë numëruar më shumë se 1 milionë refugjatë.

Ndërsa OKB ka dhënë alarmin se vetëm gjatë vitit 2017 në Afganistan kanë lënë shtëpitë e tyre më shumë se 100 mijë njerëz për shkak te konfliktit të armatosur.

Ndërsa edhe pse qeveria afgane pohon se është duke ndihmuar refugjatët në mbarë vendin, shumë prej tyre kanë mungesë strehimi, uji të pijshëm, mjete shëndetësore, etj.

OKB thotë se gjendja në kampe sa vjen dhe përkeqësohet, ndërsa thekson se mungojnë medikamentet dhe arsimi për fëmijët.