“Ramabaja ishte ideologu për vrasjen e liderëve politikë”

“Ramabaja ishte ideologu për vrasjen e liderëve politikë”

Ish-anëtari i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, ka thënë se Sadri Ramabaja ishte ideologu i organizatës që hartoi listën për vrasjen e liderëve, në mesin e të cilëve ishin edhe Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli e Behgjet Pacolli.

Vllasi ka thënë se bazuar në informatat që i ka nga hetuesia del se Ramabaja ishte pjesë e të dyshuarve për vrasjen e udhëheqësve të Shtetit.

Në cilësi të tillë, pra si i dyshuar, është ftuar Sadri Ramabaja nga Prokuroria Speciale.

“Se kom njoftë as kurrë kurrfarë raporte nuk kam pas me këtë persona. Rezultatet e hetuesisë deri tash thonë se ai është një lloj ideologu i organizatës “Syri i Kaltër”. Mos harroni se ky nuk ishte sulm personal ndaj meje, por ishte një listë me 20 persona shqiptarë të Kosovës, duke filluar prej krerëve më të lartë të shtetit”, ka thënë Vllasi, për indeskonline.

Atentati ndaj Azem Vllasit ishte organizuar në mars të këtij viti. I dyshuari kryesor që vazhdon të mbetet në paraburgim është Murat Jashari, një shqiptar që jetonte në Zvicër. Me Jasharin ishte arrestuar edhe një person tjetër, si ndihmës në realizimin e atentatit.

Por, Vllasi thotë se atentati i tij ishte vetëm një pjesë e planit për likuidimin e njerëzve të tjerë të Shtetit.

“Atentati ndaj meje ishte vetëm fillimi I realizimit të atij plani. Unë me atë njërii kurrfarë raporte nuk kam pas siç edhe iu thash më parë. Rezultatet e hetuesisë thojnë se ai ka qenë ideologu se qysh me ja nisë e tek, por sigurisht edhe që ka marrë pjesë në këtë plan. Këto çështje akoma ka me i zbardhë hetuesia, por ai përmendet në hetimet e deritashmë si i tillë”, ka theksuar ai.

Vllasi dyshon se janë dhënë fonde të mëdha nga Rusia për vrasjen e tij dhe të liderëve të Kosovës. Ka thënë se qëllimi ishte destabilizimi i Kosovës.

“Atentatori është me vendbanim në Zvicër dhe ka disa bashkëpunëtor atje. Zvicra ndryshe njihet edhe si vend për fonde të dyshimta që prejardhjet e tyre janë të dyshimta/ Thuhet se fondet ruse janë të mëdha për destabilizimin e Ballkanit. Për Kosovë thojnë që kanë plane me shku me akte individuale. Dhe tash mendoje se krejt këto hetuesia duhet me i zhvillu, me i zbardhë”, ka shtuar ai.