Rama thotë se FSK-ja është gati për transformim

Rama thotë se FSK-ja është gati për transformim

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka deklaruar se FSK-ja po vazhdon punën në misionin aktual.

“Ka entuziazëm në propozimin për transformimin e FSK-së. Ne do të zbatojmë vendimet që vijnë nga institucionet e Kosovës’, ka thënë  Rama sot në emisionin Imazh të Radio Televizionin të Kosovës (RTK).

Sipas tij të gjitha planifikimet në zhvillimin e FSK-së janë bërë me parterët. “Ne jemi të interesuar që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë më miqtë tanë ndërkombëtar”, ka thënë ai. Rama ka thënë se qëllimi i Kosovës, është që të jemi pjesë e NATO-s. “Nuk ka ftohje të raporteve me NATO-në dhe partnerët tanë. Këshilltarët e NATO-s, janë aty”, ka thënë Rama.

Sipas tij FSK-ja është e gatshme që të ec përpara. “Vitet e para është që të krijojmë kapacitetet tona. Ne si forcë kemi nevojë për to edhe si Kosovë”, ka thënë Rama. Ai ka bërë me dije se 8 për qind e pjesëtarëve të FSK-së, janë minorite, përfshirë edhe serbë. “FSK-ja është forcë multietnike. Ne kemi filluar iniciativat që të inkurajojmë të rinjtë e minoritetet që të jenë pjesë e FSK-së”, ka thënë ai. Rama ka thënë se pret që numri i pjesëtarëve të minoriteteve të rritet.

Ai ka bërë me dije se kanë planin e transformimit të FSK-së, në misionin e ri. “Do të ketë riorganizimi të brendshëm, pasi që do të rritet numri i pjesëtarëve. Pa ngritjen e shkollave profesionale është e pandashme që të kryejmë misionin që do të kemi”, ka thënë ai. “Tani jemi 2500 pjesëtarë. Dhe do të rritet varësisht prej nevojave dhe planit. Do të ketë edhe aviacion. Kemi kapacitete bazë me shtetet mike. Ne kemi 6 vende bashkëpunuese. Kemi disa pilotë. Do të kemi edhe helikopterë:, ka thënë Rama.

Rama ka folur edhe për infrastrukturën që ëhstë në FSK. “Sa i përket infrastrukturës, i kemi kushtet të mira për personelin tonë edhe në të ardhmen do të vazhdojmë me këtë ritëm”, ka thënë ai. Rama ka thënë se edhe me kapacitetet aktuale FSK-ja është e gatshme të merr pjesë në misionin paqeruajtëse.