Rama propozoi planin për treg unik që po kundërshtohet fuqishëm nga Mustafa

16.03.2017 22:19
Rama propozoi planin për treg unik që po kundërshtohet fuqishëm nga Mustafa

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka propozuar idenë për treg unik në Ballkanin Perëndimor, e të cilin Kosova përmes kryeministrit Isa Mustafa e ka kundërshtuar atë fuqishëm.

Rama e ka quajtur madje projekt strategjik e ambicioz, i cili ka hyrë në rrugën e planifikimit konkret.

“Sot në punimet e Samitit të Sarajevës, me Komisionerin Hahn dhe kryeministrat e Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi e Serbisë për tregun e përbashkët rajonal; një projekt strategjik ambicioz i propozuar nga Shqipëria, që tanimë ka hyrë në rrugën e planifikimit konkret”, ka shkruar Rama në Facebook.

Një version më i butë i idesë së kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për union doganor është vlerësuar edhe ideja për treg të përbashkët që e ka kundërshtuar pala kosovare. Ani pse Mustafa në Sarajevë tha se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal.

“Synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësoj dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave”, tha ndër të tjera kryeministri, duke folur edhe për të arriturat e Kosovës dhe statistikat e tregtisë të cilat konfirmojnë bashkëpunimin rajonal.

Pala kosovare beson se edhe tregu unik, i cili ka marrë përkrahje nga shumica e vendeve të Ballkanit do ta dëmtonte tregun në Kosovë si dhe do të ngadalësonte ndjeshëm procesin e integrimit evropian./Insajderi.com