Rama prezanton ministrat e rinj – 50 për qind gra

27.08.2017 16:30
Rama prezanton ministrat e rinj – 50 për qind gra

Nga e hëna, qeveria e re “Rama 2” do të nisë zyrtarisht punën. Edi Rama shpalli nga Asambleja Parlamentare e PS-së emrat e kabinetit të tij të ri qeveritar, me 9 ministri më pak nga mandati i parë qeverisës, ku disa dikastere shkrihen me njëra-tjetrën e disa të tjera që nuk do të ekzistojnë më, si Ministria e Integrimit, me emra të rinj që i bashkohen në këtë mandat të ri, por edhe ministrat besnikë, të cilët vet kreu socialist i cilësoi të suksesshëm në 4 vitet e shkuara.

Qeveria e re përbëhet nga 11 ministri, në barazi të plotë gjinore 50% burra e 50% gra, si dhe dy ministra të Shtetit.

Numrin dy të qeverisë së tij të re, Edi Rama prezantoi deputeten shkodrane, ekonomisten 40-vjeçare Senida Mesi.

Detyrën e Ministrit të Shtetit për Diasporën, kryeministri ia besoi Pandeli Majkos.

Ministrinë e re të sapokrijuar për Mbrojtjen e Sipërmarrësve, Rama ia besoi një tjetër zonje, ish-drejtueses së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato.

Për ministritë kyçe, struktura e të cilave nuk pësoi asnjë ndryshim në krahasim me mandatin e parë, Edi Rama duket se zgjedhjen e ka pasur të lehtë. Duke i besuar edhe peshën e procesit të vështirë të integrimit të vendit në BE, kryeministri ia besoi diplomacinë sërish kryediplomatit Ditmir Bushati.

Fatmir Xhafaj mbetet sërish në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, detyrë që përpara zgjedhjeve e mbajti për disa muaj.

Nga Mirëqënia Sociale, Olta Xhaçka ngarkohet me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, duke pasuar në këtë post Mimi Kodhelin.

Drejtësia, kur reforma më e rëndësishme – ajo në drejtësi – pritet të nisë udhën nga shtatori, i besohet Etilda Gjonajt, e cila më parë ka mbajtur postin e zv.ministres.

E pandryshuar mbetet edhe struktura e Ministrisë së Kulturës, që sërish i besohet Mirela Kumbaros.

Këto, siç tha kryeministri, janë 5 ministritë klasike, strukturat e të cilave nuk ndryshojnë. 15 ministritë e tjera janë shkrirë dhe bashkuar në 6 të vetme, në krye të të cilave, Edi Rama ka zgjedhur të besuarit dhe më të suksesshmit të qeverisë së tij të parë.

Financat, Ekonomia dhe Puna janë bashkuar në një dikaster të vetëm, që do të drejtohet nga Arben Ahmetaj.

Arsimi dhe Sporti mbeten bashkë, por këtë herë, për shkak të politikave të përbashkëta dhe projekteve për të rinjtë, iu bashkohen edhe Rinia, e në krye të saj qëndron sërish për një mandat të dytë Lindita Nikolla.

Shëndetësia bashkohet me Kujdesin Social, dikaster që do të drejtohet tashmë nga Ogerta Manastirliu.

Pasi e cilësoi si një ndër administratorët më të mirë të PS-së, Edi Rama vendosi t’i besojë Damian Gjiknurit detyrën e ministrit të Energjisë, ministri të cilës tashmë i bashkohet edhe Infrastruktura.

Nga posti i zv.kryeministrit në qeverinë e parë të Edi Ramës, tashmë Niko Peleshi do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Blendi Klosi mbetet pjesë e qeverisë “Rama 2”, këtë herë nën drejtimin e Turizmit dhe Mjedisit.

Për të drejtuar jetën parlamentare përgjatë 4 viteve të ardhshme, por edhe grupin e PS-së, Edi Rama ka përzgjedhur lehtësisht Gramoz Ruçin, ashtu siç pas zgjedhjeve e lajmëroi në studion e “Top Story” edhe Taulant Ballën.

Tashmë qeverinë dhe drejtuesit kryesorë, Edi Rama i ka zgjedhur. Nga e hëna do të nisë punën për finalizimin e programit qeverisës. Duhet të mendojmë për ekipin drejtues të PS-së.