Rama me plan të njëjtë me Vuçiqin për Ballkanin

“Ëndrra” e Vuçiqit për Ballkanin, është plan konkret për Ramën

27.09.2016 21:15

Atë që me 15 shtator, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e kishte shprehur si ëndërr, për kryeministrin e Shqipërisë, me 27 shtator është një plan konkret: një ekonomi e lirë mes vendeve të Ballkanit.

“Ëndrra” e Vuçiqit për Ballkanin, është plan konkret për Ramën

Kryeministri serb ka ende shumë punë në vazhdimin e dialogut në Bruksel me autoritetet kosovare, duke ngulur këmbë se “Kosova është Serbi” por në të njëjtën kohë, para një jave kishte deklaruar se ëndrra e tij lidhet “krijimin e një zone të përbashkët të tregtisë së lirë për rajonin e Ballkanit”.

“Ëndrra ime është që të kemi një union doganor me të gjitha shtetet e Ballkanit, të gjitha zonat, me të gjithë. Po ashtu ëndrra ime është një tregti e përbashkët”, kishte thënë Vuçiq në një intervistë për AFP-në të mërkurën e 15 shtatorit.

Por disa ditë më vonë, kjo ëndërr për homologun e tij nga Shqipëria, kryeministrin Edi Rama, mund të bëhet realitet, raporton Insajderi.

Duke folur në Forumin Ekonomik shqiptaro-gjermane  që është mbajtur sot në Tiranë, Rama ka folur njejtë sikur homologu serb, ani pse kundërshtimi i tyre më i madh mbetet Kosova.

Pikërisht Kosova është edhe mollë sherri e një Forumi ekonomik që pritet të mbahet në Nish të Serbisë, në të cilën do të flitet edhe për autostradën mes dy vendeve që duhet të kalojë nga Kosova, porse me insistimin e Serbisë, Kosova është lënë  jashtë këtij takimi.

Megjithatë në Tiranë, Rama ka thënë se vendet e Ballkanit kanë nevojë për unifikimin e procedurave në tërë rajonin.

“E nisëm këtë procedurë me Kosovën, si sprovë por edhe si një përgjigje ndaj tundimeve dhe ekseseve nacionaliste, duke u munduar ta bëjmë të qartë se ajo që duhet të kuptojmë në këtë shekull, me bashkim të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës është në fakt ajo që ndodhë në Evropën e bashkuar: kufiri administrativ nuk mund të jetë pengesë për ndërveprimin e lirë ekonomik, kulturor, social dhe për lëvizjen e lirë e njerëzve”, ka thënë Rama, raporton Insajderi.

Rama ka nënvizuar domosdoshmërinë jetike, “që të mos e shohim vetën, si treg që zhvillohet brenda kufijve tanë”.

“Të bëjmë çmos që investitorëve të huaj, t’u krijojmë kushtet që pavarësisht nëse investon në Tiranë, Prishtinë, Beograd, Shkup ose Podgoricë, të investojë në një treg rajonal”, ka thënë Rama.

Vuçiq kishte thënë se një treg i lirë balkanik, nuk të ishte një ringjallje e Jugosllavisë, por një treg që do të favorizonte zhvillimin dhe mirëqenien në rajon.

E kjo mirëqenie sipas Ramës, do të sillte shumë përfitime.

Është shumë e lodhshme që duhet të marrë certifikata të ndryshme prej Shqipërisë dhe Kosovë, dhe kanë sjellë vitin e kaluar një rritje befasuese të eksportit dhe importit mes nesh. Këtë shembull e kthyem në iniciativë, për të gjitha vendet e rajonit me filozofinë që ne nuk mund të presim që të bëhemi anëtarë të BE-së për t’u sjellë me njëri tjetrin si anëtarë të Bashkimit Evropian”, ka thënë Rama, raporton Insajderi.

Sipas tij, nuk mund të pritet që vendet e Ballkanit të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, që “kufirin mes Kosovës, Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi ta bëjmë të padukshëm, siç është mes Gjermanisë dhe Francës apo vendeve të tjera”.

Teksa Rama është shprehur se kjo është shumë e mundshme të arrihet mes vendeve të Ballkanit, Vuçiq kishte thënë se “bashkëpunimi me fqinjët është i vështirë, pas “jo vetëm dekadash, por shekujve të urrejtjeve dhe luftës”./Insajderi.com