Rama: Në zgjedhje shkojmë edhe pa PD-në

Rama: Në zgjedhje shkojmë edhe pa PD-në

Kryeministri Rama tregoi se nuk është i lëkundur nga kërkesat e Partisë Demokratike për qeveri teknike dhe shtyrje të zgjedhjeve. Pavarësisht ultimatumit të PD për mospjesëmarrje në zgjedhje, Rama theksoi se edhe pse kjo përbën një anomali të madhe zgjedhjet do zhvilloheshin edhe pa të.
“Nuk do të ketë as qeveri teknike dhe as shtyrje të zgjedhjeve”, kjo ka qenë deklarata e kryeministrit Rama në komunikimin javor duke theksuar se PD kërkon të fusë vendin në krizë politike, shkruan Top Channel.

“Sot do të flas për krizën false politike të nisur nga PD. Ajo kërkon të fusë vendin në krizë politike. S’ka për të ardhur ndonjëherë oferta për qeveri teknike. S’ka për të ardhur oferta për shtyrje të zgjedhjeve”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera kryeministri Rama i bëri thirrje Partisë Demokratike që të kthehet në Parlament për të përmbyllur procesin e Vetting-ut. Një kërkesë që ka qenë në formën e këshillës, pasi sipas Ramës mos pjesëmarrja e PD në këtë proces do ta fundoste ende pa filluar fushata elektorale.

Kryeministri Rama është shprehur se është i gatshëm për dialog dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, nëse PD ka propozime konkrete.

“Një grup politikanësh që kërkojnë pushtet mblidhen te çadra. Po kështu janë një grup gjykatësish që nuk duan të ikë çadra, se kërkojnë të mbajnë peng drejtësinë. Të huaj jo dashamirës të këtij kombi, që nuk duan ta shohin Shqipërinë të bëjnë shtet. Kush ka hallin për një karrige parlamenti për vete, kush duket në çadër për të treguar se është akoma gjallë, e të tjerë për halle të tjera. Halle halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngjan”, u shpreh Rama.

“Çadra e ngritur në mes të bulevardit si kështjellë rëre, S’ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri të teknike, as oferta për shtyrje të zgjedhjeve. Të vetmit e atyre që presin atë që nuk vjen kurrë nga pritja në çadër, janë thashethemexhinjtë. Kjo nuk është kriza e Shqipërisë, por një krizë e një partie politike që nuk vjen dot në pushtet. Kjo është kriza e një katundi të izoluar politik. Kanë kapur peng të vërtetën. Është kriza e gogol-makutëve në orvatjen për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo është kriza e një elite politike të ngujuar në bulevardin e politikën, krejt të pavëmendshëm për shqetësimet e vërteta të popullit. Flasin për revolucion popullor pa popull”, tha ndër të tjera Rama.