Rama: Këtë vit i japim fund historisë së kanabisit

27.03.2017 10:48
Rama: Këtë vit i japim fund historisë së kanabisit

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim me drejtuesit e policisë, deklaroi se këtë vit do i “vihet kapak historisë së gjatë të kultivimit të kanabisit”.

“Sfida është përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës kundër kultivimit të kanabisit. Pas shkatërrimit të ‘Republikës së Lazaratit’, ne kemi të gjitha arsyet ta konsiderojmë vitin 2017 si vitin që i vë kapak kësaj historie të gjatë”, ka thënë Rama.

“Puna e nisur me kontrolle të imta dhe të vazhdueshme në të gjithë territorin për të parandaluar mbjelljen e kanabisit, përbën një bazë inkurajuese që në vjeshtën e këtij viti ne të dalim krenarë përballë popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka shtuara Rama.

“Sot, policia është në kontroll të plotë të territorit edhe përsa i përket ndërtimeve pa leje e prerjes së pyjeve, por kemi ende shumë për të bërë”, ka thënë kryeministri, shkruan Top Channel.

Kreu i qeverisë kishte fjalë të mira për policinë, duke e konsideruar si “institucionin më të besueshëm tek opinioni”.