“Rama iu nënshtrua frikës së Tahirit, Parlamentarizmi ra”

“Rama iu nënshtrua frikës së Tahirit, Parlamentarizmi ra”

“Parlamentarizmi ra dhe demokracia është sot më e kërcënuar se kurrë më parë”, kështu e interpretoi votimin e socialistëve në Këshillin e Mandateve për Tahirin, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Në një dalje për mediat, Kryemadhi tha se Rama duke mos pranuar ti heqë imunitetin pagatorit të tij dëshmoi qartazi se nuk ka vullnet për reformën në drejtësi.

Pa vetting në politikë nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë, tha Kryemadhi.

Kryemadhi: Për herë të parë në vite pengohet prokuroria për të bërë punën e saj për të zbardhur një veprimtari kriminale shumë të rëndë duke mos pranuar kërkesën e prokurorisë. Narkoqeverisja nuk ka hezituar të arrestojë qytetarët shqiptarë për mospagesën e 5 mijë lekëve të vjetra të energjisë tashmë bëhet bllok për të penguar në mënyrë flagrante prokurorinë me masat që ajo kërkoi. Kryeministri i rënë Edi Rama ka dy standarte, një drejtësi për vete dhe jeniçerët e tij të narkotrafikut dhe një drejtësi tjetër për qytetarët shqiptarë. Sot më shumë se kurrë pa u bërë vettingu në politikë nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë për shqiptarët.

Sot Edi Rama vërtetoi edhe njëherë se është peng i krimit, bandave por më shumë është peng i frikës dhe kërcënimit të bashkëpunëtorëve të tij. Edi Rama me këtë votim i bëri sot shërbim frikës së tij të madhe pasi zbardhja e kësaj çështje shumë të rëndë do të nxjerrë në dritë fakte të tjera më të rënda të implikimit të Edi Ramës, bashkëpunëtorëve, dhe të afërmve të tij. Frika që ka përfshirë bandën e kriminalizimit të shtetit po kërcënon hapur shqiptarët dhe jetën e tyre çdo ditë e më shumë.

Parlamentarizimi mori fund, demokracia është sot më e rrezikuar se kurrë ndonjëherë. Të dyja janë vendosur nën thundrën e krimit të organizuar dhe mafias në pushtet. Nuk ka më shqiptarë dhe besoj as ndërkombëtarë që të besojnë në dënglat dhe batutat e tij për reformën në drejtësi se paskan qenë të vërteta. Një njeri që nuk i heq imunitetin pagatorit të tij nuk mund  të pretendojë kurrë se ka vullnet e jo më dëshirë për të bërë reformën në drejtësi.