Rama dhe Thaçi bashkohen kundër presidentit të Maqedonisë

Rama dhe Thaçi bashkohen kundër presidentit të Maqedonisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë reaguar ndaj frymës antishqiptare të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Ivanon gjatë një konference për media mbrëmë tha se nuk do ta mandatojë liderin e Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev për krijimin e qeverisë së re.

Shkak për këtë ai ka thënë se është platforma e partive politike e arritur sipas tij në “shtetin fqinj”, me të cilën ai thotë se rrënohet karakteri unitar të shtetit të Maqedonisë.

“Derisa të jem president i Maqedonisë nuk do të mandatoj askënd që pranon platforma të shteteve fqinje që rrënojnë sovranitetin e shtetit”, ka deklaruar Ivanov duke drejtuar akuza të rënda ndaj liderit social-demokrat për shkelje të Kushtetutës dhe tradhti të interesave kombëtare.

Pas kësaj deklarate, dje ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke ia bërë me dije Ivanovit se pa shqiptarë nuk mund të ketë as Maqedoni.

“Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”, shkruar Rama në facebook.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, veprimet e Gjorgje Ivanovit i ka quajtur antishqiptare.

“Zhvillimet politike në Maqedoni janë shumë shqetësuese. Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti”, ka shkruar Thaçi në facebook.

“Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit”, ka shtuar ai.

Sipas Thaçit, shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj.

“Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë. Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”, ka përfunduar presidenti Thaçi./Insajderi.com