Rama akuzon BE-në se po favorizon Serbinë në rastin Haradinaj

Rama akuzon BE-në se po favorizon Serbinë në rastin Haradinaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për ndalimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga Policia franceze të mërkurën në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Kryeministri Rama ka thënë se me arrestimin e Ramush Haradinajt, Bashkimi Evropian ka dëshmuar se po favorizon Serbinë, raporton Insajderi.

Ai ka thënë se BE-ja po toleron shtetin e Serbisë, sa i përket “ekseseve inerciale” të së shkuarës, ndërsa në anën tjetër Kosovës po i vihen kushte të veçanta për liberalizimin e vizave.

“Qasja e dyzuar e Bashkimit Europian ndaj Serbisë dhe Kosovës, ku të parës i tolerohen eksese inerciale të së shkuarës së vet, siç është, ndër të tjera, mbajtja në fuqi e urdhër-arresteve ndërkombëtare për “kriminelët” e UÇK-së, ndërsa të dytës i vihen kushte sui generis deri edhe për liberalizimin e vizave, po krijon një lëndim psikologjik që mund të ndikojë për keq, jo vetëm në perceptimin e popullit euro-optimist të Kosovës për raportin me Europën e Bashkuar, po edhe në tërësi tek shqiptarët si kontribues të padiskutueshëm në projektin e madh të paqes e të integrimit të plotë europian të rajonit”, ka thënë Rama.

Rama është shprehur i habitur me faktin se si ka mundësi që ende të vlejnë urdhër-arrestet e një shteti që është sulmuar nga NATO.

“Si ka mundësi që urdhër-arrestet e vendit agresor të një lufte që përfshiu vetë NATO-n kundër atij vendi, të mundet ende sot të vlejnë si mandate legjitime të policive të një sërë vendesh europiane, për të burgosur luftëtarët që i’u kundërvunë atij agresioni dhe që, për më tepër, i janë nënshtruar më pas, pa asnjë rezistencë, qoftë Hagës dhe qoftë votimit parlamentar të risisë botërore të një Tribunali Special për vetveten”, është shprehur Rama.

Haradinaj është arrestuar të mërkurën në mbrëmje në aeroportin Basel-Mulhouse në Francën lindore në fluturimin nga Prishtina, njofton Insajderi.

Haradinaj ka shërbyer shkurtimisht si kryeministër i Kosovës më 2004 dhe 2005, derisa ishte nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, para se të gjykohej dhe lirohej për krime lufte në Tribunalin e Hagës. /Insajderi.com