Rajoni i Ballkanit nuk është “atraksion” për sulme terroriste

Rajoni i Ballkanit nuk është “atraksion” për sulme terroriste

Rajoni i Ballkanit nuk është “atraksion” për sulme terroriste, kjo për shkak se ndikimi i këtij regjioni në raport me zhvillimet gjeopolitike nuk është i njëjtë sikurse i vendeve ku edhe kanë ndodhur sulmet në Evropë e më gjerë.

Edhe pse kohët e fundit i ashtu quajturi Shteti Islamik, ka paralajmëruar sulme terroriste në Ballkanin Perëndimor, Plator Avdiu, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se deri më tani nuk kemi parë aktivitete të cilat tregojnë që mund të kërcënohet situata e sigurisë.

“Rajoni i Ballkanit nuk paraqet ose nuk është atraksion për aktivitete terroriste për shkak se edhe vet ndikimi i vendeve tona në raport me zhvillimet gjeopolitike nuk është sikurse i vendeve të tjera evropiane, si i Gjermanisë, si i Britanisë së Madhe, si i Francës apo vendeve të tjera”, tha Avdiu.

Sipas Avdiut, duhet të shtohen masat e sigurisë në rast se ekziston një kërcënim për sulme terroriste mirëpo ai apelon që mos të krijohet panik.

“Mendoj që duhet të ketë masa të shtuara të sigurisë në rast se ekziston një kërcënim i tillë si serioz mirëpo mendoj që nuk duhet të krijohet panik dhe niveli i sigurisë duhet të jetë në raport me nivelin e rrezikshmërisë, që në Kosovë nuk konsiderohet që niveli i rrezikshmërisë është edhe shumë i lartë .Ajo çka mund të them që deri tash prej kohës kur ishte shfaqja e ISIS-it në sipërfaqe dhe aktivitetet e tjera, është që në rajon ose në Kosovë nuk kemi parë aktivitete që mund të na tregojnë se mund të ndodh ose mund të kërcënohet situata e sigurisë”, tha ai.

Avdiu thotë se qeveria ka hartuar plane e strategji të mira, por që ato duhet të zbatohen.

Llogaritet se 300 luftëtarë kanë shkuar në Siri për të luftuar përkrah ISIS-it apo grupimeve të tjera si Al Nusra. Prej tyre mbi 50 vetë janë vrarë apo raportuar të tillë, 115 janë kthyer me dëshirë dhe me ndërhyrjen e institucioneve apo familjeve.