Rahoveci bëhet me autoambulancë të re

16.11.2017 14:46
Rahoveci bëhet me autoambulancë të re

Komuna e Rahovecit ka siguruar një autoambulancë të re përmes Ministrisë së Shëndetësisë.

Autoambulanca moderne i është dhuruar sot Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec, kurse ajo do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Rahovecit, të cilët kanë nevojë për shërbime më të shpejta shëndetësore.

“Shpresoj që kjo ndihmë sado e vogël, por e nevojshme, do të jetë një lehtësim për personelin mjekësor në Rahovec, për të ofruar shërbime të shpejta dhe profesionale për qytetarët. Kjo ka qenë një kërkesë e kryetarit Vehapi, i cili më tregoi se nuk kanë pasur autoambulancë të re që nga viti 2004”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Kjo është një nga ato premtimet e vogla që po arrijmë t’i mbajmë çdo ditë dhe që tregon se ne kemi për synim për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në vend”, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, falënderoi ministrin Ismaili për donacionin për këtë autoambulancë. “Që nga viti 2004 Rahoveci nuk ka pasur autoambulancë të re. Prandaj ky donacion ishte shumë i nevojshëm për ne, për çka e falënderoj ministrin Ismaili. Ne shpresojmë në mbështetjen e tij edhe herëve të tjera”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ka shpërndarë edhe tri autoambulanca të reja në Klinë, Vushtrri dhe Deçan.