Racistë dhe hipokritë – në Kujtim të marres sonë

Kujtim Paçaku vdiq duke shpëtuar. Ai është liruar nga ne. Nga racistët që tallim e shtypim këndo në bazë të gjithçkaje që nuk i shkon për shtati kritereve tona të prapambetura si njerëz aspak të civilizuar. Natyrshëm por fatkeqësisht, kujtimi për Kujtimin do të rrojë më pak sesa kujtimi për neve, racistët hipokrit.

Racistë dhe hipokritë – në Kujtim të marres sonë
Burimi i fotografisë: Foto: Agan Kosumi /K.S 2.0

Në poezinë e tij “Testament”, poeti Kujtim Paçaku porositë që kur të vdesë të varroset vertikalisht.  Arsyeja e këtij testamenti ka një metaforë të fuqishme të një jete të quar mes shtypjes dhe talljes ku mendja kërkon të gjejë shpëtim tek trupi. Një mendje e krijuar në një ambient ku të jeshë rom, ashkali, egjiptas apo kushdo që nuk është në dukje sikurse shumica është diçka që tallet dhe mundësisht të shtypet. Në pafundësi.

Testamenti i Kujtimit në praktikë ndoshta nuk do të ndodhë  por do të mbesë vetëm një testament me një porosi të pavdekshme për një realitet që zor mund të vdesë ndonjëherë në Kosovë. E ky realitet është i hidhur. Një realitet në të cilin është marre të jetosh në shekullin XXI apo vitin 2018.

Por këta jemi ne. Racistë. Deri në palcë. Do të tingëllonte tepër patetike nëse tash do t’i kërkonim falje Kujtim Paçakut për atë se kush jemi ne. Madje nuk do të ishte patetike por hipokrizi. Njësoj sikurse kërkim falja që i ishte bërë në Kuvendin e Kosovës, kur në foltore ishte ngjitur vet Kujtim Paçaku.

Disa muaj pasi Insajderi kishte publikuar një seri të përgjimeve të telefonatave të politikanëve në Kosovë që shpërfaqën qartësisht një shtet të kriminalizuar dhe një elitë politike të prapambetur që e sheh normale talljen me tjetrin që sipas kritereve të tyre të prapambetura gati shpellare nuk na qenka “i denjë” për t’u respektuar si njeri. Kjo elitë politike që ia ka humbur kuptimin edhe “elitës” duke e devalvuar si vlerë e ka bërë normale mendësinë e tyre të prapambetur që e sheh normale talljen me tjetrin. E ky kriter më pas është etabluar edhe si kriter në një shoqëri, truri i së cilës ka stagnuar dhe refuzon të zhvillohet.

Paçaku kishte dalë në foltore dhe kishte refuzuar të lëvizë derisa kolegët e tij në Kuvend të partive të ndryshme, shumica në partinë kryesore PDK, që në biseda talleshin me deputetët rom, ashkali dhe egjiptas, të kërkonin falje.

Kërkim falja kishte ndodhur. Ishte bërë në mënyrë hipokrite si nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe Adem Grabovci kryepersonazh i bisedave të përgjuara ku talleshin deputetët rom, e deri tek kolegët e tjerë. Por më shumë sesa pendimin, ajo kërkim falje kishte vënë në pah sesi kjo klasë politike e barazon racizmin me kërkim faljen për racizëm.

Vetëm naivët dhe njerëzit pa ndonjë tru aktiv mund ta kenë besuar se këta politikanë nuk janë racistë dhe se përnjemend kanë kërkuar falje. Ata mund ta kenë shtuar vëmendjen ndaj deklarimeve publike, pra të mos dëgjohet më racizmi teksa del nga mendja dhe goja e tyre, por jo edhe në mendësinë e tyre.

Paçaku detyron Grabovcin dhe Veselin të kërkojnë falje publike…

Paçaku: Nuk kam fuqi të ngreh ndonjë akt juridik, por nuk largohem nga kjo foltore, pa kërkuar falje – http://bit.ly/2chBIjF #DosjaeShefave

Posted by Insajderi on Thursday, 1 September 2016

Ajo nuk mund të fshihet as tek shoqëria që i zgjedhë ata të na drejtojnë. Shoqëria kosovare, për arsye të mos zhvillimit të shtetit nga politika, është e zhytur në racizëm. Por kur vjen puna tek ky komunitet, racizmi tejkalohet e shndërrohet edhe tallje sikurse me një kafshë që nuk kupton.

E kur njeriu sillet me njeriun sikur me kafshën, atëherë njerzillëku humbet. Bëhet një jetë prej kafshe sepse veprimet e tyre bazohen në instinkte bazë. E fyhet edhe kafsha sepse ato nuk paragjykojnë e as tallin në bazë të ngjyrës a racës. Prandaj ne nuk jemi as kafshë. Do të ishte një nder i madh. Më i madh sesa të jesh njeri hipokrit, pjesë e një klasë politike që në mënyrë të paturpshme e tallë tjetrin e më pas i thurë lavde kur ai të mos jetë më gjallë.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, ia kushtuan nga një status në Facebook, kujtimit për Kujtim Paçakun. Me rastin e vdekjes së tij.

E natyrshme: të tretë njihen si shfrytëzues të çdo dëshmori a beteje kur është koha e përvjetorëve. Së fundmi e kemi parë këtë shfrytëzim gjatë javëve të fundit, duke i nderuar me akademi e statuse në Facebook, por duke i tallur në praktikë, pasi e udhëheqin një shtet të krijuar mbi krim. E shtetit të kriminalizuar nuk i duket asgjë racizimi. Përpos një mjeti për të përmbushur nevojën e tyre të prambetur shpirtërore dhe intelektuale: talljen me tjetrin për shkak të ngjyrës, racës, orientimit seksual, veshjes apo të folmes.

Hashim Thaçi ka shkruar se “ndjehet i pikëlluar” për humbjen e intelektualit dhe poetit të komunitetit rom, Kujtim Paçaku.

“Vdekja e parakohshme e Kujtim Paçakut është humbje për familjen, miqtë dhe komunitetin e tij, të cilin e përfaqësoi denjësisht”, ka shkruar presidenti.

Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, intelektualit dhe poetit të komunitetit rom,…

Posted by Hashim Thaçi on Thursday, 17 May 2018

Hashim Thaçi ka qenë ai që ka grumbulluar rreth partisë së tij e rreth vetës më së shumti njerëz sikurse Adem Grabovci e shumë të tjerë, me pak përjashtime të vogla, që Kujtimin e kanë tallur. Jo personalisht Kujtimin, por “intelektualin rom”, “poetin rom”, “qytetarin rom”. Mbi të gjitha e kanë tallur njeriun. Njeriun e pa fuqishëm, të varfër. E kanë tallur nga këndi i të fuqishmit dhe të pasurit me pushtet.

Prandaj nuk duhet t’i besohet “dhimbjes” së presidentit për “humbjen e Kujtimit” sepse në fakt, para se Kujtimi të vdiste, kjo shoqëri e ka vrarë shumë herë. Dhe vazhdon t’i vrasë edhe Kujtimët e tjerë.

Sot Thaçi është president por në partinë që ia la Kadri Veselit që është kryetar i Kuvendit, njerëz të tillë, politikanë racistë e hipokrit janë ende në Kuvend. Mungesa e Adem Grabovcit në Kuvend nuk do të thotë se ka mungesë të deputetëve racist. Andaj as dhimbja e Kadri Veselit për Kujtimin e as krenaria e tij për romët nuk duhet besuar. Një lider që mbanë afër racistë duke i normalizuar, nuk mund të jetë asnjëherë krenar për “një racë tjetër”. Është vetëm një status hipokrizie.

Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e Kujtim Paçakut, deputet shumë vjeçar në Kuvendin e Kosovës nga komuniteti rom. Me…

Posted by Kadri Veseli on Thursday, 17 May 2018

I njejtë sikurse ai i kryeministrit Ramush Haradinaj i cili ani pse nuk ka ndonjë evidencë të ketë treguar gjuhë raciste, ka dëshmuar se është një i tillë me gjuhën tallëse e fyese ndaj një komuniteti, atij LGBTIQ, që është i shtypur njashtu sikurse ai romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve.

Lajm i hidhur vdekja e ish deputetit të Kuvendit, Kujtim Paçaku, i cili ka kontribuar shumë për emancipimin kulturor,…

Posted by Ramush Haradinaj on Thursday, 17 May 2018

Kësisoj, sado që do të mundohemi që të shkruajmë e të nderojmë Kujtimin e atë se çka reprezenton ai duke u munduar ta krijojmë një kujtim që do të rrojë gjatë, do ta humbin luftën me kohën. Nuk do të mbijetojë kjo hipokrizi e të nderuarit pas vdekjes, sepse sasia dhe thellësia e turpit tonë, racizmit, do të rrojë shumë më gjatë. Sepse dhimbja që ua shkaktojmë  si racistë nuk men nga hipokrizia e kujtimeve.

I përjetshëm do të mbesë vetëm ky “manual” i Kujtim Paçakut mbi këngën rome.

Si bëhet kënga rome?

nuk ka shumë marifet!
merre një grusht dhembje
shtoji ca pika loti
e pak pluhur rrugësh të pasosura
pak aromë stinësh të dashurisë

në fund
i shton erëza djegëse dashurie
dhe i hedh ca yje përsipër
dhe e lë të piqet
të piqet në zjarr të shpirtit
gjer në agim.

ja pra, kështu bëhet kënga rome…