Qytetërimi islamik si shtëpi e dijes

Qytetërimi islamik si shtëpi e dijes

Me ardhjen e dinastisë abbaside dhe krijimin e kryeqytetit të ri, Bagdadit, qytetërimi islamik jetoi një epokë lulëzimi maksimal.

Për këtë kontribuoi edhe krijimi i institucionit të bayt al-hikma, biblioteka në pronësi të Kalifit, që shumë shpejt u shndërrua në qendrën e dijes enciklopedike, e ushqyer nga përkthimi i shkrimeve të mendimtarëve grekë, nga Aristoteli tek Plotini.

Revolucioni abbasid ishte shumë i rëndësishëm edhe nga pikëpamja sociale: subjekt i historisë nuk ishin më fiset e vjetër nomadë dhe luftëtarë, por një borgjezi aktive që, në paqen dhe mirëqenien e përgjithshme, lulëzonte duke ushtruar tregtinë, duke kultivuar studimet dhe artet. Epoka e artë e abbasidëve korrespondoi pak a shumë me shekullin e parë të dominimit të tyre

Kalifati abasid (749-1258) u vendos në vijim të një revolte kundër dinastisë omaiade (661-749). Përkrahës të një interpretimi të ri të Islamit si teokraci mbi-etnike, centralizuese dhe e “iluminuar”, abasidët themeluan në vitin 762 një kryeqytet të ri të perandorisë islamike, Bagdadin, dhe krijuan – mbi të gjitha në shekullin e parë të dominimit të tyre – kushtet për zhvillimin e qytetërimit islamik “klasik”: mund të krijohet një ide duke menduar “Një mijë e një netët”, ngjarjet e të cilit zhvillohen pikërisht në Bagdadin e kësaj periudhe. Shfaqet shpesh herë si protagonist Kalifi abasid Harun al- Rashid.

Në këtë periudhë u themelua bayt al-hikma (“Shtëpia e Dijes”), që u shndërrua pothuajse në simbol të të ashtuquajturës “lëvizje e përkthimit” nga greqishtja në arabisht, të cilës i dha një shtytje të madhe Kalifi al-Ma- mun (813-833), bir i Harun Al-rashidit.

Fillimisht një bibliotekë private e pallatit – ndryshe nga dar al-‘ilm që u krijua më vonë (“Shtëpia e shkencës”) që ishte në fakt institucion publik – gjatë kalifatit të al- Ma’munm bayt al-hikmas, u bë një qendër e dijes enciklopedike dhe ajo u lidh me zhvillimin e vëzhgimeve astronomikë dhe kërkimeve në fushën e matematikës.

Një lëvizje e oborrit

Flitet për lëvizje përkthimi, me qëllim për të theksuar se marrja e pasurisë së shkencave jo kur’anore – matematika, astronomia, fizika, alkimia, mjekësia dhe filozofia – nuk nisi vetëm prej interesit të shkencëtarëve të vecantë, të dëshiruar për të përvetësuar një dije të huaj për nevojat e tyre intelektuale, por ishte gjithashtu, e ndoshta mbi të gjitha, rezultat i një përfshirjeje të drejtpërdrejtë të Kalifit dhe oborrit të tij.

Me qëllimin për t’i rikthyer me forcë kalifatit drejtimin si politik ashtu edhe fetar të komunitetit islamik, al- Ma’mun shpalli doktrinë të shtetit tezën mu’tazilite të “Kur’anit të krijuar”. Mu’tazilitët (“secesionistët”) e përshkruanin veten me shprehjen “njerëz të drejtësisë dhe njëjtësisë hyjnore”: mbështesnin përsosmërinë absolute të Zotit dhe pohonin se Kur’ani nuk ishte Fjala e Zotit jo e krijuar, por thoshin që ishte i krijuar dhe kështu që duhej interpretuar.

Thoshin, veç të tjerash, që njeriu është autor dhe përgjegjës për veprimet e tij, duke mohuar pra si pasojë paracaktimin dhe duke pohuar që Zoti është domosdoshmërisht i drejtë.

Arbitër i iluminuar dhe absolut i Fjalës së Zotit, Kalifi duhej të kishte dhuntinë për të gjykuar çfarë ishte më mirë për komunitetin e besimtarëve: supremacia kulturore e një Kalifati që nxit shkencat, duhej të bashkonte komunitetin e besimtarëve nën një teokraci përgjegjëse të konformizmit individual dhe social kundrejt të vërtetës dhe dijes (hikma) së Zotit dhe që Kalifi, pasardhës i Profetit, e njihte më mirë se kushdo tjetër.

Inkuizicioni i shtetit

Ky konceptim i Islamit favorizoi futjen e trashëgimisë shkencore dhe filozofike greke; megjithatë, nuk i duhet atribuar një valencë tolerante ante litteram: ajo solli në fakt edhe shpalljen e mihna-s, inkuzicioni i shtetit kundër autoriteteve fetarë, besnikë ndonjëherë deri në vdekje ndaj vizionit të Kur’anit si Fjalë jo e krijuar e Zotit.

Duke iu kundërvënë kaq dhunshëm një elementi përbërës të fesë islamike, apo më saktë besimit në Zbritjen e Kur’anit nga Zoti “në arabishte të qartë”, teologjia mu’tazilite humbi shpejt dominimin e saj.

Që në fillim, vetë Kalifati hoqi dorë zyrtarisht nga Doktrina e Kur’anit të krijuar; në vijim al-Ash’ari, një teolog që kish aderuar për një kohë të gjatë, hoqi dorë nga mu’tazilizmi.

Që atëherë, teologjia ash’arite, e destinuar të bëhet me shumë ndikim në Islamin sunnit, shpall se përsosmëria dhe uniciteti i Zotit mund të njihen vetëm duke nisur nga Zbulimi dhe që Islami konsiston, pikërisht, në pranimin e vullnetit të padepërtueshëm dhe gjithë pushtetshmërisë së Zotit.

Filozofia arabo-myslimane, e lindur nga ajo greke, është një konstante dialektike me këta konceptime teologjikë dhe me dy shkenca të tjera tradicionale të Islamit: të drejtën dhe gramatikën.

Përkthimet e parë

I famshmi Kitab al-Fihrist (Libri i katalogut), i krijuar në Bagdad rreth fundit të shekullit X nga biri i një bibliotekari të kryeqytetit, Abu Faraj ibn al-Nadim, na informon mbi trashëgiminë filozofike dhe shkencore në dispozicion të intelektualëve myslimanë të kohës.

Ky Katalog – më i vjetri i një serie veprash bio-bibliografike – rendit filozofët grekë, nga Pitagora tek Filoponi (gramaticien dhe filozof aleksandrian aktiv në shekullin VI) duke përmendur shpesh herë një përkthim në gjuhën siriane apo arabe të veprave të tyre.

Që në krye të herës, orientalistët europianë dhe më vonë studiuesit që kishin arabishten si gjuhë mëmë zbuluan dhe publikuan dorëshkrimet që ruajnë këta përkthime. Edhe pse shumë vepra mbeten ende të panjohura apo të pabotuara, ajo që zotërojmë – vetë përkthimet, rrëfimet bio- bibliografikë që lidhen me shkencëtarët dhe filozofët grekë, si dhe shkrimet e filozofëve arabo-myslimanë – na ofron një pamje shumë të pasur të marrëdhënies mes mendimit arab dhe filozofisë greke.

Kjo e fundit, sidomos logjika aristoteliane, ishte bërë e mundur në gjuhën siriane që përpara pushtimit arab të Damaskut dhe Sirisë (636): në gjysmën e parë të shekullit VI, domethënë afërsisht në të njëjtën kohë kur Boetiusi niste projektin e përkthimit të veprave të Aristotelit dhe Platonit, në Siri, Sergio i Resh’ayna (536) përkthente Organonin, shkrime të Galenos dhe korpusit neoplatonik kristian.

Sergio kishte studiuar në Aleksandri në shkollën e Amonit, një komentator neoplatonik i Aristotelit, dishepull i të cilit ishte edhe Filoponi.

Kultura e kristianëve të Sirisë kaloi nga një antagonizëm fillestar kundrejt filozofisë greke (shekulli IV) në një asimilim gjithnjë e më të plotë (shekulli VII); në shekullin IX, ndeshim shumë kristianë në Siri në qendër të lëvizjes së përkthimit.

Përkthimet në arabisht të veprave greke kishin nisur që gjatë Kalifatit omaiad: Salim Abu l’Ala, sekretar i kalifit Hisham ibn Abd al-Malik kish kërkuar përkthimin e një korpusi letrash të Aristotelit drejtuar Aleksandrit të Madh, të destinuara të përbënin bërthamën e Secretum secretorum, më e famshmja mes “pasqyrave të princërve”, e njohur edhe në botën latine, dhe në epokën e parë moderne.

Por siç është thënë, përkthimet e vërtetë shkencorë dhe filozofikë nisën dhe u zhvilluan nën abbasidët. Nga veprat e para të përkthimeve të veprave logjike dhe të Fizikës aristoteliane të kryera nën al- Mansurin dhe pasardhësit e tij al-Mahdi dhe Harun al Rashid ka mbetur shumë pak, por shumë prej përkthimeve të prodhuar në kohën e al-Mamunit dhe pas tij, kanë mbërritur deri tek ne.

Rrethi i al Kindit

Fakti që filozofi i parë arab, Abu Jusuf ibn Ishaq al-Kindi ishte edhe frymëzuesi i një rrethi të vërtetë përkthyesish, ishte përcaktues për formimin dhe zhvillimin e falsafa-s (filozofia arabo-myslimane).

Pararendës i birit të kalifit al Mu’tasim, al Kindi kërkoi përkthimin e Metafizikës së Aristotelit dhe ndërhyu direkt në atë të Eneadit të Plotinos.

Përveç këtyre dy veprave, që shenjuan axhendën e kozmologjisë, të metafizikës dhe teologjisë racionale të një pjese të mirë të filozofisë arabe të mëvonshme, “rrethi i al-Kindit” vuri në dispozicion të intelektualëve të gjuhës arabe Timeon platonik (përkthim i humbur), De Caelon, Meteorologjikën, De generatione animalum, De partibus animalium të Aristotelit, disa shkrime të shkurtër të Aleksandrit të Afrodisias, Hyrjen aritmetike të Nikomakut të Gerasës, Elementet e Teologjisë të Proklit, pjesë të De aeternitate mundi contra Proclum të Filoponit dhe një parafrazë neoplatonike të De Anima të Aristotelit (përkthime që ekzistojnë, të plotë ose të pjesshëm).

Në kuadër të rrethit të al Kindit, apo prej vetë frymëzuesit të tij, Eneadit IV-VI të Plotinit, me përshkrimin e tyre të tre princërve, Uni, Intelekti dhe Shpirti, u transformuan në Teologjinë e Aristotelit, ndërkohë që Elementët e Teologjisë të Proklit u transformuan në Librin e Aristotelit për ekspozimin e të mirës së pastër. (Liber de Causis në universitetet latinë).

Kozmologjia dhe metafizika e Aristotelit ishin kaq të kurorëzuara nga doktrina neoplatonike e Unit, dhe drejtpërdrejtë Aristotelit iu atribua jo vetëm hierarkia e parimeve të Unit, Intelektit dhe Shpirtit të kozmosit, por edhe përpunimi më tipik që kanë pësuar shkrimet e Plotinit dhe Proklit gjatë versionit në arabisht: transformimi i shkakësisë së Unit në krijimin e universit nga hiçi.

Një periudhe pak të mëvonshme i përkasin përkthimet e Hunayn ibn Ishaq, birit të tij Ishaq ibn Hunayn dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Mjek dhe shkencëtar, përkthyes i madh i veprave shkencore dhe mbi të gjitha Galenit, Hunayn përktheu edhe Ligjet dhe Timeon platonikë (por këta përkthime kanë humbur) dhe praktikisht të gjithë korpusin aristotelian: disa vepra të Aristotelit, siç është parë, ishin përkthyer tashmë; të tjera u përkthyen për herë të parë, dhe për disa Hunayn bëri një përkthim në gjuhën siriane dhe i biri Ishaq, një përkthim në arabisht.

Falë veprës së Hunayn dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë cerekut të parë të shekullit X korpusi aristotelian, i shoqëruar nga veprat e komentatorëve (Aleksandri i Afrodisias, Themisti, Filoponi) ishte në dispozicion të shkencëtarëve dhe intelektualëve arabë.

Lumturia dhe filozofia

Logjika dhe fizika e Aristotelit u gjendën në mesin e debatit shkencor mes qarqeve filozofikë ku studioheshin veprat e “Maestro Primo” (kështu quhej Aristoteli nga filozofët arabë) dhe komentet e tyre; lidhja e pazgjidhshme mes lumturisë njerëzore dhe praktikës së filozofisë u rifut në vepra me karakter më divulgativ.

Ndërkohë, zhvillohej traktatistika filozofike e inauguruar nga al- Kindi.

Drejt gjysmës së shekullit X, Abu Bishr Matta ibn Yunus, një kristian i Sirisë që kishte mes nxënësve të tij edhe filozofin e madh islamik al-Farabi, realizoi përkthime të rinj të Aristotelit, Aleksandrit të Afrodisias dhe të Themistit. Abu Bishr Matta ibn Yunus nuk përkthente nga greqishtja, por zhvillonte në arabisht përkthime siriane më të vjetër.

Në një debat të famshëm me gramaticienin al-Sirafi, që i kontestonte këtë sipërmarrje sipas tij të pakuptimtë, ai mbrojti mundësinë e futjes në një lloj logjike universale të shpirtit njerëzor, përpara çdo lloj gjuhe natyrore.

Kjo bindje shfaqet edhe në veprat e nxënësit të tij më të famshëm, al- Farabit, dhe ndahet nga të gjithë filozofët arabo-myslimanë, si në Lindje, me veprën e madhe sistematike të Avicennas, ashtu edhe në perëndimin mysliman, me komentet e korpusit aristotelian të Averroe.

Gjatë shekujve në të cilët falsafa lulëzoi, përgjigjet ndaj pyetjeve të formuluara nga filozofia greke për Parimin e Parë, mbi kozmosin dhe njeriun kanë qenë edhe thellësisht të ndryshme mes tyre. Por fizionomia thelbësore e këtij mendimi është gjurmuar mes mesit të shekujve IX dhe X, domethënë në periudhën kur bëhet edhe më e dendur pjesa më e madhe e përkthimeve. Mision në Bizant

Dy dëshmi të ofruara nga Kitab al-Fihrist (Libri i katalogut) duket se vërtetojnë një rol të dorës së parë të bayt al-hikma në lëvizjen e përkthimit. Ibn al-Nadimi, në fakt shkruan se kalifi al-Ma’muni kishte dërguar në territoret bizantinë një ekip, në të cilin bënte pjesë drejtori i bayt al-hikma në kërkim të dorëshkrimeve grekë, dhe që më pas i njëjti ekip ishte marrë me përkthimin e teksteve të siguruar.

Ky “mision kulturor” abbasid në territoret bizantinë mund të futet në kornizën e tratativave të shumta diplomatike që panë të angazhuar delegacione të të dy perandorive, mes fundit të shekullit VIII dhe fillimit të shekullit IX dhe që, jo rrallë, shoqëroheshin me pagesa (nga ana bizantine) në këmbim të dhuratave.

Dhe është mbi të gjitha interesante të ndalemi në anëtarët e një ekspedite të tillë të përmendur nga Ibn al- Nadimi: al-Hajjaj ibn Matari, Ibn al-Batriqi dhe Salmani. I pari është i njohur se ka punuar për Harun al-Rashidin dhe al- Ma’munin, për të cilët përktheu Almagestin dhe Elementët e Euklidit.

I dyti ishte një përkthyes i teksteve grekë në oborrin e Bagdadit (mes të tjerash, elaboroi një parathënie arabe të Timeos platonik).

Studiuesi i tretë është personazhi më i rëndësishëm në këtë rast (dhe ndoshta ishte i tillë edhe në brendësi të ekspeditës). Bëhet fjalë për Sahib bayt al-hikman, domethënë drejtorin e bibliotekës së Kalifatit, i përfshirë pra ai vetë në një mision që u finalizua me sigurimin e teksteve antikë shkencorë grekë dhe më pas përkthimin e tyre, i shoqëruar nga dy prej specialistëve më të mëdhenj në fushën e përkthimeve nga greqishtja në arabisht.

Salman, pra, vepronte edhe në fushën greke, si duke siguruar dorëshkrime, si duke u marrë me përkthimin.

Dhe një tjetër pasazh i Fihrist na informon për faktin që ai ka marrë pjesë edhe në veprën e koordinimit të përkthimit të një prej teksteve shkencorë grekë më të rëndësishëm, Almagesti i Ptolomeut të Ptolemaidës, vepër në të cilën mori pjesë, mes të tjerëve, edhe al-Hajjaj ibn Matari, i cili kishte shoqëruar vetë Salmanin në ekspeditën në territoret bizantinë.

Ky i fundit zbulohet pra si një figurë jashtëzakonisht shumë eklektike, në gjendje të operonte në tre fusha linguistike: ajo perse, greke dhe arabe.

Pjesëmarrja e drejtorit të Bayt al-hikma në veprimtarinë e mbledhjes dhe përkthimit të dorëshkrimeve grekë demonstron pra se institucioni ishte padyshim i përfshirë në lëvizjen e përkthimit.

Revolucioni abbasid: Një epokë e re

Abbasidët e marrin emrin e tyre nga al- Abbas, stërgjysh i Abu l-Abbasit, Kalifi i parë i dinastisë. Pasi morën kontrollin e kalifatit në 749-750 duke zëvendësuar Omayyadët, abbasidët e mbajtën pushtetin deri në 1258.

Revolta e pati origjinën në 747 në Persi dhe në Irak, ku ishte e lehtë të shfrytëzohej pakënaqësia ndaj omayyadëve dhe pati edhe ndihmën e elementëve shiitë që, duke qenë besnikë të pasardhësve të Ali ibn Abi Talibit, e konsideronin atë dinasti si uzurpatore.

Pasi morën pushtetin (të afërm të Aliut por jo pasardhës direktë të tij), abbasidët humbën mbështetjen e shiitëve, por pasi kishin konsoliduar tashmë pozicionin e tyre, mundën t’i lënë këta në opozitë. Të shumtë ishin ndryshimet që futën abbasidët, të cilët donin të inauguronin një epokë të re.

Kalifati riafirmoi karakterin e tij fetar, duke dënuar mondanitetin dhe frymën profane të Omayyadëve: mori formën e një despotizmi oriental (duke u larguar nga tendenca demokratike e arabëve), por në të njëjtën kohë, iu nënshtrua autoritetit të “’ulama”, doktorëve të mëdhenj të Islamit, të vetmit interpretues të autorizuar të mesazhit të Profetit.

Në planin politik, ndryshimet ishin edhe më të dukshëm: perandoria arabe bëhej një perandori islamike, duke përfshirë shumë popuj me dinjitet dhe të drejta të barabarta.

Krejt arabe, në këtë hapësirë kaq të gjerë, mbetën vetëm Kur’ani dhe gjuha zyrtare e shtetit, ajo e kalorësve të shkretëtirës. Situata ndryshoi edhe në këndvështrimin territorial: në fakt Spanja, Maroku dhe ndonjë rajon tjetër i Afrikës veriore refuzuan t’i nënshtroheshin Kalifatit abbasid.

Vetë kryeqyteti u zhvendos më në lindje: Bagdadi, i themeluar nga Kalifi i dytë abbasid, ishte në fakt i vendosur në Tigri dhe shihte më shumë nga Persia, përmes të cilës perandoria shtrihej drejt Indisë.

Në këtë mënyrë ndryshoi edhe jeta kulturore e perandorisë: përmes sirianëve, ndërmjetës të çmuar mes arabëve dhe grekëve, u futën filozofia dhe shkenca greke ndërkohë që zakonet, letërsia, gjuha dhe kultura në përgjithësi patën prurje perse, që ishin aq të forta saqë lanë pak gjurmë edhe tek Islami.

Revolucioni abbasid ishte shumë i rëndësishëm edhe nga pikëpamja sociale: subjekt i historisë nuk ishin më fiset e vjetër nomadë dhe luftëtarë, por një borgjezi aktive që, në paqen dhe mirëqenien e përgjithshme, lulëzonte duke ushtruar tregtinë, duke kultivuar studimet dhe artet. Epoka e artë e abbasidëve korrespondoi pak a shumë me shekullin e parë të dominimit të tyre. Megjithatë, brenda pak dekadave, nisën të shfaqen shenjat e para të dekadencës së tyre dhe supremacia e tyre politike u dobësua.

Në shekullin XI, turqit me prejardhje nga stepat e Azisë Qendrore, nisën të penetrojnë në territoret e perandorisë.

Në vitin 1055 ata hynë në Bagdad dhe, të pritur ngrohtë nga Kalifi, imponuan autoritetin e tyre.

Në shekullin XII, kalifi an-Na’sirr arriti për një kohë të shkurtër të rivendosë një kalifat të pavarur, por në vitin 1258 ardhja e mongolëve, që pushtuan Bagdadin, duke e shkatërruar pjesërisht dhe masakruan Kalifin bashkë me gjithë njerëzit e tij, i dha fund kalifatit abbasid.