Qosja Thaçi e Mustafës: Ju të dy po na fyeni të gjithë ne  

17.02.2016 20:01

“Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij na fyen sot të gjithë ne. Provokimi dhe fyerja e tyre përmbanin një arrogancë primitive pushtetore. Provokimi dhe fyerja e tyre përmbanin nënçmim për opozitën dhe për protestuesit: nënçmim për sjelljen e tyre paqësore dhe nënçmim për guximin e tyre të ‘humbur’ në atë sjellje paqësore”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Qosja Thaçi e Mustafës: Ju të dy po na fyeni të gjithë ne   

Akademiku Rexhep Qosja ka thënë se kryeministri i dhe zëvendësi i tij po i fyejnë të gjithë qytetarët. Qosja ka thënë se Isa Mustafa e Hashim Thaçi në konferencën me gazetarët pas protestës së sotme opozitare duke folur në emrin e Qeverisë së Kosovës e provokuan fort opozitën dhe i provokuan të gjithë qytetarët në protestë.

“Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij e provokuan sot gjithë Kosovën. Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij, për më keq, e fyen fort opozitën dhe i fyen fort gjithë pjesëmarrësit në protestë”, ka shkruar Qosja.

“Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij na fyen sot të gjithë ne. Provokimi dhe fyerja e tyre përmbanin një arrogancë primitive pushtetore. Provokimi dhe fyerja e tyre përmbanin nënçmim për opozitën dhe për protestuesit: nënçmim për sjelljen e tyre paqësore dhe nënçmim për guximin e tyre të ‘humbur’ në atë sjellje paqësore”, ka shkruar ndër të tjera ai:

qosja

-“Ju pritëm, u thanë, jo me kafe!” E kjo do të thotë: ju pritëm me kallash!

– “Opozita iku me bisht nën shalë”

Provokimi dhe fyerja e tyre përmbanin arrogancë primitive dhe fyerje ndaj të gjithë kosovarëve, protestues e joprotestues!

Pse jo, nuk është hera e parë që ata sillen kështu prej se janë bashkuar për t’u sjellë siç po sillen: për t’u sjellë në Kosovë si të ish Kosova “rançi” i tyre!

Pse jo, ata e kanë shkelur dhe e kanë fyer Kushtetutën e Kosovës dhe e kanë shkelur siç s’është shkelur ndonjëherë më parë: e kanë shkelur duke shitur politikisht dhe juridikisht pjesë të Kosovës, e kanë shkelur duke u dhënë Serbisë dhe Malit të Zi toka të Kosovës!

Nuk po thotë vetëm opozita se këta dy pushtetarë e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës!

Nuk po thonë vetëm protestuesit se këta dy pushtetarë e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës!

Nuk po thonë as edhe shumë e shumë intelektualë të Kosovës e të Shqipërisë se këta dy pushtetarë e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Se këta dy pushtetarë e kanë shkelur politikisht dhe juridikisht kushtetutën e Kosovës duke shkelur disa nene të saj me nënshkrimin e Marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, po e thotë edhe institucioni, fjala e të cilit juridikisht, shtetërisht dhe moralisht peshon më shumë se e kujtdo tjetër: po e thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kur Gjykata Kushtetuese thotë se ndonjë person a ndonjë institucion e ka shkelur Kushtetutën e shtetit, ai person a ai institucion ngarkohen me përgjegjësi që mund të jetë kur politike e kur penale.

Në qoftë se përgjegjësia është vetëm politike atëherë shkelësit e Kushtetutës ose japin dorëheqje ose shkarkohen nga pozitat që kanë. E në qoftë se përgjegjësia është penale atëherë shkelësit e kushtetutës gjykohen penalisht prej gjykatës përkatëse.

Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij po e provokojnë dhe po e fyejnë opozitën, po na provokojnë e po na fyejnë të gjithë ne duke provokuar e duke fyer ashtu njëkohësisht edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Dhe po e provokojnë e po e fyejnë opozitën, dhe po na provokojnë e po na fyejnë të gjithë ne, dhe po e provokojnë e po e fyejnë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës sepse s’po duan të pranojnë përgjegjësinë e të largohen prej pushtetit, duke e bërë të mundshme kështu zgjidhjen e krizës institucionale të Kosovës.

Duke mos u larguar vullnetshëm prej pushtetit pas shkeljes së Kushtetutës, qeveria e sotme e Kosovës po ushtron pushtet të paligjshëm.

E pushteti i paligjshëm, siç dihet e siç thuhet në të gjitha vendet demokratike të botës, quhet pushtet i dhunës.

E, kur një qeveri e mban pushtetin paligjshëm, domethënë dhunshëm, kur një pushtet është pushtet i paligjshëm, atëherë, është e ligjshme që ai pushtet të largohet prej pushtetit me lëvizje demokratike popullore.

Kosova është çliruar prej pushtimit të Serbisë.

Kosova duhet të çlirohet sot edhe prej pushtimit të paligjshëm të Qeverisë së sotme.

Demokracia e Kosovës, dinjiteti dhe nderi i qytetarëve të Kosovës e meritojnë çlirimin prej kësaj qeverie dhunëtare.