QKUK-ja mund ta heqë përgjithmonë nga përdorimi gazin oksidul

QKUK-ja mund ta heqë përgjithmonë nga përdorimi gazin oksidul

Operacionet në Qendrat e Klinikës së Kirurgjisë Torakale, pas më shumë se dy javëve të mosfunksionimit, janë kthyer në gjendje normale.

Në mungesë të gazit oksidul operimet tash po kryhen me ndihmën e ajrit të komprimuar, metodë kjo të cilën po e përdorin edhe shtetet e Bashkimit Evropian. E ky model, sipas udhëheqësve të kësaj Klinike do të përdoret për një kohë të gjatë. Madje gazi oksidul (N20), mund të mos përdoret më fare.

Janë dashur më shumë se dy javë që të funksionalizohet sistemi për futjen e ajrit të komprimuar në mënyrë që operacionet në QKUK të zhvillohen në mënyrë të rregullt. Puna në disa nga klinikat e kirurgjisë në QKUK ishte ndalur më 7 shtator, kur edhe ndodhën tri vdekje të pacientëve, të cilat janë cilësuar si të dyshimta nga ana e organeve të hetuesisë.

E që nga ajo kohë, zyrtarë të QKU-së deklarohen se kanë punuar për gjetjen e alternativave për vazhdimin e operimeve në këtë qendër.

Në një deklaratë për Gazetën Express, drejtori i Klinikës Torakale në QKUK, Saudin Maliqi, ka deklaruar se për operime tash po përdoret një metodë, e cila aplikohet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

“Sa i përket problemit që kemi pasur, ai u sanua komplet. Ka mundësi të përdoret vetëm oksigjeni me ajër. Në BE e kanë hequr nga përdorimi oksidulin. I kemi rregullua tash të gjitha ato sistemet që me e futë atë ajrin e komprimum edhe tash çdo gjë është në rregull. Ne tash po e aplikojmë sistemin më të ri dhe më në trend”, ka thënë Maliqi, i cili ishte edhe pjesë e Komisionit Profesional të SHSKUK-së, i cili më datë 25 shtator ka marrë vendim që të fillojë me punë në sallat operative.

Sipas tij, aplikimi i sistemit të ajrit të komprimuar është më pak i kushtueshëm sesa gazi oksidul të cilin QKU-ja e kishte përdorur për operime.

“Ky sistem është më pak i kushtueshëm edhe është më i dobishëm. Vetë kyçja e sistemit të ajrit e përjashton përdorimin e oksidulit. Aparati i anestezionit i ka dy gypa për hyrje, një për ajër, një për oksidul dhe vetë përdorimi i ajrit e përjashton përdorimin e oksidulit. Do të bëhet furnizimi me oksidul vetëm për disa raste”, ka shpjeguar tutje drejtori i Klinikës Torakale në QKUK.

Ndërkaq, SHSKUK-ja, tashmë ka shpallur ftesën për furnizim me gazin oksidul (N20). Si kusht për furnizim me këtë lloj gazi është që i njëjti të prodhohet ose të përdoret në vendet e Bashkimit Evropian.

Javë më parë në sallat operative të QKUK-së kanë ndërruar jetë tre pacientë, vdekjet e të cilëve janë cilësuar si të dyshimta. Mjekësia Ligjore u ka bërë obduksionin të njëjtëve, por që analizat për ta duhet dërguar jashtë vendit. Zyrtarë të këtij institucioni kanë deklaruar se ende nuk kanë marrë vendim se në cilin vend do të dërgohen analizat e këtyre tre pacientëve të cilat do ta zbardhnin rastin e vdekjeve të dyshimta.

Ndërkohë, Prokuroria e Shtetit është duke e pritur analizën e obduksionit, kështu ka thënë të mërkurën për Express prokurori i rastit, Valdet Gashi.