QKUK gjatë vitit 2016 ka kryer 22.610 operime

QKUK gjatë vitit 2016 ka kryer 22.610 operime

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Shëndetësisë për vitin 2016.

Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përgjithshëm të të punësuarve në institucionet publike shëndetësore sipas gjinisë dhe shkallës së arsimimit; të dhëna për aktivitetet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK); aktivitetet e spitaleve të përgjithshme; vizitat mjekësore në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF);shërbimet paraklinike;të dhënat për të sëmurët me TBC;për sëmundjet ngjitëse në Kosovë.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se në vitin 2016 numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi, në sektorin publik, ishte 14048 persona,prej tyre 3626 ishin mjekë specialistë, 8950 infermierë dhe 1472 staf jomjekësorë.

Numri i rasteve të trajtuara me sëmundje malinje dhe beninje në institucionet shëndetësore publike ishte 2514. Ndërsa,në spitalet private janë trajtuar rreth 509 raste.

Gjatë vitit 2016, në Qendrën Klinike Universitare kanë qenë 481292 ditë shërimi,me 74728 pacientë të shtrirë, ku nga këta pacientë të shtrirë, 22610 pacientë janë operuar. Ndërkohë, që janë realizuar rreth 1002173 shërbime të veçanta dhe diagnostike për pacientë, ndërsa shërbime (parametra) laboratorike janë kryer 1146209 për 293731 pacientë.

Gjithashtu, në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës(QKSUK) janë realizuar rreth 58891vizita kontrolluese; 188155 shërbime stomatologjike dhe 91355 shërbime për pacientët jashtë Prishtinës.

Numri i institucioneve private shëndetësore të licencuara ka arritur në 1333, prej tyre 26 spitale dhe 1307 institucione të tjera shëndetësore, si: ambulanca, poliklinika etj. Numrin më të madh të ambulancave të licencuara e përbëjnë ambulancat stomatologjike me 549, ose 29.5% të institucioneve të licencuara private.