QKSS: Qeveria s’po arrin të jetë anëtare me të drejta të plota në INTERPOL

QKSS: Qeveria s’po arrin të jetë anëtare me të drejta të plota në INTERPOL

Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që të amortizojë efektin e Marrëveshjes së Brukselit për bashkëpunim rajonal në mes të Kosovës e Serbisë në kontekst të anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota në nismat rajonale të sigurisë. Ajo ka siguruar vetëm statusin e “pjesëmarrësit” apo “vëzhguesit” në këto nisma.

Vlerësim i tillë ka dalë nga raporti “Nyja e Gordianit: Pengesat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të sigurisë- Rasti i INTERPOL-it”, të cilin e ka publikuar sot Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Po ashtu, aty thuhet se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë hapa konkret për të avancuar nga statusi i anëtarit të “asociuar” apo “vëzhguesit” në nismat e organizata ekzistuese në anëtarë me të drejtë vote.

“Institucionet kosovare nuk janë palë zyrtare në marrëdhëniet me INTERPOL-in, por varen kryekëput nga misioni i UNMIK-u. Ky kritikohet se nuk ndanë informacionet e plota që merr nga INTERPOL-i me institucionet përkatëse të Kosovës”, thuhet në raport.

Sipas QKSS-së, bashkëpunimi ndërkombëtar policor u bë prioritet i institucioneve kosovare tek në vitin 2015, kur u dorëzua për të dytën herë aplikacioni për anëtarësim në INTERPOL. QKSS vlerëson se diskursi politik në Kosovë sa i përket anëtarësimit në INTERPOL ka mbetur në nivelin deklarativ, por pa rezultate konkrete.

“Deri më tash nuk është vërejtur bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për përgatitjen e vendit drejt anëtarësimit në INTERPOL”, vazhdon raporti.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, sipas QKSS-së, ka ngelur tek Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it. Ajo nuk ka kaluar ende për shqyrtim në Komitetin Ekzekutiv të INTERPOL-it dhe as në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it.

“Aplikacioni i Kosovës për anëtarësim nuk pritet të shqyrtohet nga ana e INTERPOL-it para dy viteve të ardhshme. Kjo për shkak se INTERPOL-i ka krijuar një mision vlerësimi për të shqyrtuar nëse Kosova dhe vende të tjera aplikuese kanë përmbushur kushtet për anëtarësim në INTERPOL”, vlerëson raporti.

“Serbia, e ndihmuar nga aleati i saj, Rusia, e ka identifikuar INTERPOL-in si betejën e radhës diplomatike kundër Kosovës. Ajo e ka ngritur këtë çështje në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë diskutimeve për Kosovën”, thuhet tutje.

Megjithatë, QKSS thotë se për anëtarësim në INTERPOL nuk është kusht për Kosovën për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Diplomacia kosovare, sipas saj, duhet të argumentojë në pikëpamje juridike e policore të drejtën për anëtarësim në INTERPOL.

“Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe argumentet juridike me rastin e pranimit në UEFA e FIFA shërbejnë si përparësi. Shtetet mike të Kosovës (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe vende të tjera) kanë arsyetuar në mënyra të ndryshme rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, thuhet në raport.

“Nevoja e Kosova për anëtarësim në INTERPOL është e madhe, veçanërisht për parandalimin dhe luftimin e krimeve që tejkalojnë kufijtë shtetërorë”, vlerësohet më tej.

Raporti i QKSS-së thotë se “lufta kundër terrorizmit apo ekstremizmit të dhunshëm dhe krimeve të tjera të dimensionit trans-nacional kërkon bashkëpunim ndërkufitar dhe ndërkombëtar në mes të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare për zbatimin e ligjit”.

Për më tepër, synimi i Palestinës që të anëtarësohet në Interpol, ka shtyrë Izraelin që të kërkojë lidhje me të forta me Rusinë që duke përdorur Kosovën të dalin kundër anëtarësimit të këtyre shteteve në këtë organizatë të rëndësishme, raporton Insajderi, bazuar në raportimet e mediave në Izrael./Insajderi.com