Zyrtarë të OVL të UÇK-së dyshohet se mashtruan veteranët

Qeveria veteranëve: Mos paguani certifikatat, ato janë pa para

14.09.2016 23:20
Qeveria veteranëve: Mos paguani certifikatat, ato janë pa para

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, ka lëshuar një njoftim ku thuhet se nuk duhet paguar asnjë cent për të marrë certifikatën e statusit.

“Këtë njoftim e bëjmë për arsye se kemi marrë disa ankesa nga tereni ku disa degë të organizatës së Veteranëve të Luftës në rajone të ndryshme të cilët janë autorizuar nga Komandantët e Brigadave për shpërndarjen e Certifikatave, po aplikojnë pagesa për ata të cilët i marrin Certifikatat”, thuhet në komunikatën e Komisionit Qeveritar.

Gjithashtu Komisioni njofton të gjithë veteranët se asnjë veteran “nuk është i obliguar të bëjë pagesë dhe se aplikimi i pagesave për veteranët është keqpërdorim nga ana e zyrtarëve të UVL UÇK-së dhe se këto veprime janë në kundërshtim me vendimet e komisionit”.

“Me ketë rast i’u bëjmë thirrje të gjithë eprorëve të cilët i kanë marr certifikatat për shpërndarje nga komisioni që të jenë të përgjegjshëm dhe të kujdesen që ato t’u dërgohen personave të cilëve u takojnë”, thuhet në fund të komunikatës./Insajderi.com