Qeveria thotë se oferta për të biseduar për demarkacionin është serioze

20.09.2016 13:25

Me t’u kthyer nga vizita në ShBA, kryeministri Isa Mustafa pritet të intensifikojë angazhimet e tij për takime të përbashkëta me spektrin politik për çështjen e demarkacionit.

Qeveria thotë se oferta për të biseduar për demarkacionin është serioze

Këshilltari i tij, Faton Abdullahu, thotë se oferta për të biseduar është serioze dhe ka për qëllim ballafaqimin e fakteve.

“Nuk duhet vështruar, analizuar, këtë ftesë në bazë të asaj se kush do të lëvizë nga pozicioni, kush do ta kthej çështjen në pikën zero e të tjera të kësaj natyre. Jo. Çështje kryesore është sjellja e fakteve. Argumentet janë ato që e rrëzojnë çfarëdo kokëfortësie në çfarëo ane që mund  të ekzistojë”, tha Abdullahu për Radio Kosovën.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, thekson se edhe Qeveria edhe opozita duhet të dalin nga pozicionet e ngurta, nëse duan të arrijnë konsensus.

“Duke qenë se po kërkojnë tani me vonesë të skajshme dialog gjithëpërfshirës atëherë duhet që të dyja palët mos të jenë në pikën zero, por të dalin mbi zero, domethënë në pikën një dhe të kërkojnë gjithëpërfshirje, jo vetëm të palëve politike, por edhe të ekspertëve të cilët kanë kërkuar që të rinegociohen parimet e kufirit”, tha Qorrolli për Radio Kosovën.

Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës dhe opozitës, deri më tani kanë mbajtur disa takime, të organizuara nga Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika. Rashiti thotë se do të ketë edhe takime të tjera së shpejti.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti mirëpret takime të tilla.

“Unë shpresoj shumë që pas takimit të javës së kaluara, do të ketë takime të radhës dhe do të ketë punë normale”, tha Pajaziti për Radio Kosovën.