Edhe pse qeveria e Shqipërisë, ka qenë në dijeni të plotë, të një serie të gjatë falsifikimesh të pronave në bregdetin e jugut në Shqipëri, saktësisht në bregdetin e Palasës, një hulumtim i “Reporter.al” ka nxjerrë se Qeveria e Ramës ka miratuar ndërtimin e dy resorteve turistike, duke i dhënë njërës prej kompanive ndërtuese mburojën juridike si “investitor strategjik”.
Në plazhin dikur të virgjër, të njohur nga banorët e zonës me emrin Dhraleo, ose Rrugët e Bardha, në 7 mars, 2014 qeveria aktuale ka miratuar lejen e zhvillimit për resortin turistik “Green Coast” – një kompleks vilash dhe apartamentesh me investitor grupin Balfin, i shtrirë në një sipërfaqe prej 185 mijë metrash katrorë.
Pak kilometra më tutje, në të njëjtën datë, Këshilli Kombëtar për Rregullimin e Territorit, i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, ka dhënë një tjetër leje ndërtimi për një resort vilash të shtrirë në një sipërfaqe prej 8 mijë metrash katrorë, me investitor kompaninë Eurocol sh.p.k.
Kompleksi turistik “Green Coast,” ka marrë në vitin 2015, vlerësimin si investim strategjik në fushën e turizmit, duke i dhënë investitorit mbrojtje juridike nga problemet dhe pretendimet e pronësisë mbi tokën mbi të cilën ai po ndërtohet.
Megjithatë, dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga “Reporteri.al” tregojnë që ky resort, por edhe kompleksi i vilave i Eurocol sh.p.k, po ndërtohen në prona të cilat janë tjetërsuar nga pronarët e ligjshëm nëpërmjet falsifikimeve ose vendimeve të paligjshme, për të cilat strukturat më të larta të shtetit kanë pasur dijeni të plotë./Insajderi.com