Qeveria refuzon kërkesën e Nikoliqit për të vizituar Kosovën

Qeveria refuzon kërkesën e Nikoliqit për të vizituar Kosovën

Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë së Serbisë për ta vizituar nesër komunën e Shtërpcës në Kosovë.

Lajmin për refuzimin e Nikolicit e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

“Refuzimi vjen pas vonesës për të deponuar me kohë kërkesën për vizitë në Kosovë ashtu siç parashihet me marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

“Qeveria e Kosovës konsideron se sjelljet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e njëpasnjëshme janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të arriturave të dialogut për të ndërtuar ura të shëndosha bashkëpunimi në mes dy shteteve dhe popujve. Po ashtu, ato janë kundër interesit të qytetarëve serbë të Kosovës të cilët kanë vendosur të jetojnë në Kosovë.”

Nikolic pritej të qëndrojë në Shtërpcë, për të marrë pjesë në kremtimin e Krishtlindjes.

Për herë të fundit ai ishte në Kosovë në Gazimestan për Vidovdan në vitin 2014./Insajderi.com

Lexoni në Insajderi edhe #DosjaGrande

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=jMGxdadMk-s&list=PLIKGlbXyvgfjg89cYApXRQ78Ul9rI_sNM”/]