Qeveria pret që rasti Dehari të zbardhet ndërkombëtarisht

04.11.2017 19:03
Qeveria pret që rasti Dehari të zbardhet ndërkombëtarisht

Halil Matoshi, këshilltar për media në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Familja e të ndjerit dhe avokati i tij, Tomë Gashi, gjatë një konference për media të mbajtur sot, ripërsëritën kërkesën e tyre drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj, nga i cili kërkojnë që t’ua mundësojë që një institut zviceran të bëjë hetime të pavarura për këtë vdekje.

Ndër të tjera, familja Dehari ka thënë se beson në ndjeshmëri më të madhe të kryeministrit Haradinaj rreth vdekjes së Astritit, dhe presin që ai t’ua mundësojë që një institut zviceran të hetojë vdekjen e tij. Kanë thënë po ashtu se angazhimi i këtij instituti mbetet vetëm në duar të Haradinajt.

Ndërkaq, Matoshi ka thënë se Qeveria Haradinaj është e përkushtuar që ky rast të zbardhet ndërkombëtarisht.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj është i përkushtuar që ky rast të zbardhet edhe me ekspertizë ndërkombëtare”, tha Matoshi për Koha.net.

Ai shtoi se Haradinaj madje ka ndarë edhe fondin për hetim ndërkombëtar, dhe se kjo qeveri, sipas tij, e ka kryer punën e vet.

“Qeveria Haradinaj në mbledhjen e 3 nëntorit 2017 ka ndarë edhe 50 mijë euro për një hetim ndërkombëtar për rastin Dehari. Pra kjo qeveri e ka kryer pjesën e vet të punës”, shtoi ai.

Kujtojmë se Astrit Dehari vdiq pasditen e 5 nëntorit 2016 në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ndërsa për nesër është paralajmëruar një marsh protestues nga Lëvizja Vetëvendosje me fillim nga ora 15:00 tek Biblioteka Kombëtare e Kosovës