Qeveria polake bleu “Koleksionin miliarder” me një çmim qesharak

30.12.2016 09:26
Qeveria polake bleu “Koleksionin miliarder” me një çmim qesharak

Qeveria polake bleu një koleksion arti me famë botërore, ku bën pjesë edhe një nga pikturat më të famshme të Leonardo da Vinci, për një grimcë të vlerës së tij.

Koleksioni Czartoryski përbëhet nga rreth 86 mijë punime mes të cilave “Zonja me hermelinë” e Da Vincit dhe disa punime të Rembrandit. Koleksioni gjendet në qytetin Krakovës dhe ju shit qeverisë polake për vetëm 100 milionë euro, ndërkohë që vlera e tij llogaritet në 2 miliardë euro.

Bordi manaxhues i Fondacionit “Czartoryski” dha dorëheqjen në formë proteste për këtë çmim qesharak. Bordi tha se as që u pyet për shitjen, e cila u negociua mes ministrisë polake të Kulturës dhe Adam Karol Czartoryski, kreu i familjes që zotëron koleksionin.

Ky i fundit tha se duke pranuar ofertën, mbështeste kombin polak dhe ishte njësoj si t’i bënte shtetit një donacion të madh. Czartoryski tha se pavarësisht qejfmbetjeve apo rezervave nga të tjerë, koleksioni i përkiste atij dhe ishte zgjedhja e tij dhe e askujt tjetër se ç’duhej të bënte me të.

Veç veprave të artit, koleksioni Czartoryski përmban rreth 250 mijë dorëshkrime dhe libra, që të gjitha tashmë pronë e shtetit polak. Ministria polake e Kulturës tha se negociatat për koleksionin kishin zgjatur disa muaj dhe zyrtarë polakë falënderuan Czartoryskin për bujarinë e treguar.