Qeveria pezullon për një vit shitjen e tokave shoqërore nga AKP

Qeveria pezullon për një vit shitjen e tokave shoqërore nga AKP

Ekzekutivi i vendit ka pezulluar për një afat njëvjeçar privatizimin e tokave shoqërore, të cilat janë në menaxhim të AKP-së.

Gjatë kësaj periudhe do të verifikohen nevojat që kanë institucionet shtetërore dhe Qeveria për prona me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe investimeve.

Kohavision kishte raportuar për synimin e ri të AKP-së që të shiste toka më të mëdha se 5 hektarë duke i bërë kështu konkurrencë ligjit për investimet strategjike.

Në mbledhje, kryeministri ka kërkuar nga të gjitha institucionet të veprojnë shpejt dhe drejtë në trajtimin e shpronësimeve të pronave për nevojën e mihjes së thëngjillit, ku ka tendenca të aktiviteteve për ndërtim të objekteve te reja.

Qeveria në mbledhjen e sotme, ka miratuar dokumentin “Prioritetet kyçe të Agjendës Evropiane për vitin 2018”. Po ashtu ka marrë vendim për ndarjen e 219 mijë eurove për shpenzimet e familjeve në rastin “Kumanova”.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, tha se nga kjo shumë do të ndahen për secilën familje nga 10 mijë euro.

Haradinaj ka thënë se kanë marrë listën e familjeve. Ekzekutivi ka marrë vendim që të ndajë edhe 300 mijë euro për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.