Qeveria nuk do të vonojë të risjellë demarkacionin në Kuvend

Qeveria nuk do të vonojë të risjellë demarkacionin në Kuvend

Qeveria e Kosovës nuk do të humb shumë kohë për të sjellë sërish në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen e demarkacionit por është duke punuar që të krijojë rrethanat e përshtatshme për një gjë të tillë.  Kështu ka thënë këshilltari i kryeministri Isa Mustafa, Faton Abdullahu.

“Kjo do të ndodhë pa prolongime të pajustifikueshme”, ka thënë ai duke iu referuar sjelljes së marrëveshjes sërish në Kuvendin e Kosovës.

Të enjten, kryeministri Mustafa vendosi të tërheqë nga rendi i ditës votimin e kësaj marrëveshje të nënshkruar para më shumë se një viti.  Mustafa përmendi si arsyetim mungesën e Listës Serbe në Kuvend, që nënkupton se koalicioni qeverisës nuk ka pasur votat e nevojshme.

Por, sipas Abdullahut, marrëveshja duhet të ratifikohet sepse në të kundërtën rrezikohet liberalizimi i vizave.

“Për shumë arsye tashmë të njohura e një nga më të rëndësishmet është shënjimi i vijës kufitare ndërmjet shtetit tonë dhe Malit të Zi, me çka kështu vazhdojmë procesin e shtetndërtimit edhe në këtë formë, duke mos përjashtuar edhe normalizimin e raporteve me fqinjët, si dhe shfrytëzimin e mundësisë së mirë për heqjen vizave për qytetarët tanë”, ka deklaruar Abdullahu për Zërin.

Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjen.  Lëvizja Vetevendosje ka quajtur të vdekur atë ndërsa ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit dhe zgjedhje të jashtëzakonshme./Insajderi.com