Qeveria nuk e dërgon demarkacionin në Kuvend ditët e ardhshme

Qeveria nuk e dërgon demarkacionin në Kuvend ditët e ardhshme

Qeveria e Kosovës pritet që të mblidhet të premten në orët e pasdites për të diskutuar raportin e komisionit qeveritar për matjen e territorit të Kosovës.

Një burim brenda qeverisë ka njoftuar se raporti në fjale pritet të miratohet sot “pa ndonjë problem”, por qeveria nuk është e gatshme që demarkacionin ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës së shpejti.

Vonesa për të dërguar në kuvend këtë marrëveshje bëhet për shkak se koalicioni qeverisës ende nuk ka arritur të sigurojë 80 votat e nevojshme për të kaluar këtë marrëveshje.

Ditë më parë, kryeministri Isa Mustafa tha se dërgimi i demarkacionit tek deputetët është çështje ditësh, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli ka qenë më specifik, duke thënë se një gjë e tillë do të ndodhë brenda javës së ardhshme.

Marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar më 25 gusht 2015 por nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të kundërshtimit të ashpër të partive opozitare si dhe të një numri të deputetëve të koalicionit qeverisës.

Qeveria e Kosovës në shtator të vitit të kaluar kishte tërhequr nga pika e rendit të ditës votimin e marrëveshjes, meqë nuk i kishte votat.

Sa për të vështirësuar situatën, PDK dhe LDK nuk mund të llogarisin në partnerin tjetër qeverisës, Lista Serbe, deputetët e të cilës parti janë duke refuzuar të marrin pjesë në institucionet shtetërore.

Partitë opozitare në vazhdimësi kanë insistuar se Kosova humb tokë me këtë marrëveshje, por këto qëndrime janë demantuar nga të dhënat e Qeverisë së Kosovës por edhe të Ambasadës amerikane.

Diplomatë të fuqishëm evropianë dhe amerikanë kanë kërkuar që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Marrëveshja me Malin e Zi është një nga kushtet kryesore që Kosova i ka para vetës për të fituar liberalizmin e vizave./Insajderi.com