Qeveria miraton kërkesën e Thaçit, për të cilën ishte përplasur me Mustafën

Qeveria miraton kërkesën e Thaçit, për të cilën ishte përplasur me Mustafën

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën e presidentit të Kosovës për t’i ndarë 100 mijë dollarë për familjet amerikane, të prekura nga uragani Harvey në Hjuston. Hashim Thaçi i kishte kërkuar ish-kryeministri Mustafa që t’i ndajë “urgjentisht” 100 mijë dollarë për SHBA-të.

E pasi qeveria Mustafa nuk kishte arritur t’ia përmbushte kërkesën presidentit Thaçi, këtë e ka bërë sot qeveria Haradinaj. Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e qeverisë që është mbajtur sot ka hedhur në votim propozimin e Presidentit Thaçi për të ndarë 100 mijë dollarë për Amerikën.

Me votë unanime ministrat e qeverisë kanë vendosur që nga thesari i shtetit të ndahen 100 mijë dollarë si ndihmë për Amerikën pas goditjes së uraganeve.

“Mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 mijë dollarëve për familjet amerikane, të prekura nga uragani Harvey në Hjuston. Falenderoj kryeministrin Haradinaj dhe gjithë ministrat për këtë vendim”, ka thënë Thaçi.

Isa Mustafa e Hashim Thaçi si kryeministër e president të vendit, para rreth dy javësh më 2 shtator, kishin vënë në pah faktin se ata nuk komunikonin mes vete përmes anëve zyrtare.

Një ftohje kaq e madhe e raporteve mes ish-kryeministrit dhe presidentit u vu në pah kur presidenti i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndihmojë me para viktimat në Amerikë.

“I bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të marrë vendim për ndarjen e së paku 100.000 US$ në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë”, kishte thënë Thaçi.

E reagimi i ish-kryeministrit Isa Mustafa erdhi më pas. Ai tha se pajtohet me idenë që Kosova të ndihmojë në këtë tragjedi por një kërkesë të tillë presidenti nuk duhet ta dërgojë përmes Facebook-ut.

“Për këto çështje presidentët nuk komunikojnë me qeverinë me facebook të dielën, por me akte zyrtare dhe duke respektuar legjimitetin e saj”, kishte shkruar Mustafa. /Insajderi.com