Qeveria: Ligjin për Trepçën nuk mund ta kontestojë asnjë gjyqtar

Qeveria: Ligjin për Trepçën nuk mund ta kontestojë asnjë gjyqtar

Zyra e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa e kanë komentuar kërkesën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme drejtuar Kushtetueses lidhur me pretendimet e gjyqtarit të EULEX-it rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për Trepçën.

Besnik Berisha, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ligji për Trepçën nuk mund të kontestohet.

“Ligji për Trepçën nuk mund të kontestohet për kah ana Kushtetuese nga ndonjë gjyqtar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka thënë se i vetmi institucion kompetent për interpretimin e përshtatshmërisë së një ligji apo akti nënligjor është Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Ligji për Trepçën është në përshtatshmëri të plotë kushtetuese dhe i njëjti nuk cenon asnjë të drejtë siç pretendohet në këtë komunikatë”, ka deklaruar Berisha.