Qeveria i kundërpërgjigjet Thaçit: Drejtori i Doganave është i ligjshëm

Qeveria i kundërpërgjigjet Thaçit: Drejtori i Doganave është i ligjshëm

Dy javë pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi i dërgoi një letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, nëpërmjet së cilës ia bënte me dije Veselit, se zgjedhja e drejtorit të Doganave bazuar në memorandumin që e kanë nënshkruar me Ambasadën Britanike ishte i jashtëligjshëm, ka ardhur reagimi i Ministrisë së Financave.

Ata nëpërmjet një sqarimi lidhur me zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, duke thënë se zgjedhja e tij ka respektuar të gjitha parametrat e paraparë për këtë pozitë.

“Prandaj, gjatë procesit të rekrutimit dhe emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës nuk është shkelur asnjë dispozitë e Kodit Doganor dhe të Akcizave dhe zbatimi i Memorandumit të Bashkëpunimit është bërë pa interferuar në legjislacion në fuqi”, thuhet në njoftimin për media.

Pikërisht në këtë pikë, letra e presidentit Thaçi konsiston në paligjshmërinë e zgjedhjes së drejtorit të Doganave.

Presidenti shkruante në letrën se kompania britanike, e caktuar për të ndihmuar institucionet e Kosovës ne rekrutimin e udhëheqësve në pozita te larta drejtuese, është e jashtëligjshme për shkak se vendimi për të zgjedhur një kompanitë të tillë nuk është shoqëruar me ndryshime ligjore.

letra

Sipas presidentit angazhimi i kompanisë britanike bie ndesh me Ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës.

Por, vërejtet dhe këshillat e presidentit nuk  ishin marrë parasysh nga kryeministri dhe ministri i financave me rastin e përzgjedhjes se Drejtorit te Doganave.

Drejtori ishte zgjedhur me 8 shkurt, një ditë pas dërgimit të letrës nga presidenti, raporton Insajderi.

E për të sqaruar se zgjedhja e drejtorit të Doganave ka qenë plotësisht në pajtim me konkursin, Ministria e Financave ka dërguar një letër të gjatë në adresë të mediave.

Nuk është shkruar nëse letra i është dërguar edhe presidentit.

Përshkrimi i procesit të konkursit

Në përputhje me nenin 5, paragrafi 4, të Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe Akcizave të Kosovës, Ministri i Financave më 15.11.2016 ka shpallur konkurs publik për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës. Kanë konkurruar 22 kandidatë, nga të cilët 12 janë ftuar në intervistë me gojë. 

Më 06.12.2016, Ministri i Financave e ka emëruar “Komisionin për përzgjedhjen e kandidatit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Republikës së Kosovës”, i përbërë nga tre Sekretarë të Përgjithshëm të Qeverisë së Kosovës.

Në të gjitha fazat e konkursit, puna e Komisionit është monitoruar dhe asistuar nga partneri implementues i përcaktuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, siç parashihet në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, të datës 15.08.2016.

Komisioni më datë 18.01.2016 ka dhënë Rekomandimin për kandidatët më të suksesshëm që i plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës.

Në përputhje me nenin 5, paragrafin 1, të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës dhe mbi bazën e Rekomandimit të Komisionit, Ministri i Financave i ka propozuar Kryeministrit që z.Bahri Berisha të emërohet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës. Z.Berisha është ranguar kandidati me më së shumti pikë nga ana e Komisionit.

Vlerësime mbi ligjshmërinë e konkursit

Përpara se të hapet konkursi, Ministria e Financave ka analizuar me kujdes Memorandumin e Bashkëpunimit dhe ka konstatuar se zbatimi i tij në procesin e rekrutimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës parimisht nuk bie ndesh me legjislacionin në fuqi. Ministria e Financave dhe partneri implementues janë pajtuar se në të gjitha fazat e konkursit do të zbatohet vetëm legjislacioni në fuqi në Republikën e Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës nuk është shërbyes civil dhe procedura e rekrutimit nuk i nënshtrohet Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregullores QRK-Nr.06/2010 për procedurat e emërimit në pozita të larta në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, në këtë proces të rekrutimit nuk mund të diskutohet për shkelje të legjislacionit për shërbimin civil.

Komisioni i caktuar nga Ministri i Financave, bazuar në nenin 5 të Kodit të Doganave dhe të Akcizës të Kosovës, ka udhëhequr të gjithë procesin e rekrutimit. Roli i partnerit implementues në këtë proces ka qenë vetëm monitorimi dhe asistimi në punën e Komisionit. Falë këtij monitorimi dhe asistimi, dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, për herë të parë kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të Doganës i janë nënshtruar një interviste të strukturuar, përfshirë këtu edhe testin psikometrik. 

Në fund të procesit, ashtu siç është paraparë në paragrafin 4, të nenin 5 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Komisioni ka bërë rekomandimin e tij, përfshirë edhe sqarimet lidhur me bashkëpunimin që Komisioni ka pasur me partnerin implementues gjatë procesit të rekrutimit./Insajderi.com