Qeveria ka dy oferta me kredi per stadiumin

Qeveria ka dy oferta me kredi per stadiumin

Qeveria e Kosovës ka pranuar dy oferta të ndryshme për ndërtimin e stadiumit kombëtar. Qeveria hungareze dhe kompania turke “Akay Construction INC” kanë qenë ofertuesit, të cilët janë shprehur të gatshëm të ndërtojnë me një kredi të ulët stadiumin kombëtar të Kosovës.

Oferta e qeverisë hungareze, e paraqitur për zyrtarët e shtetit të Kosovës në muajin shtator të vitit të kaluar, është ndërtimi i një stadiumi në vlerë prej 40 milionë eurosh.

Qeveria e Hungarisë është shprehur e gatshme t’i ofrojë Qeverisë së Kosovës kredi pa kamatë për të realizuar projektin më të madh sportiv – ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës.
Hungaria ka ofruar kredi 40 milionë euro.

Projekti i këtij stadiumi është bërë e ditur se do të ishte i ngjashëm me stadiumin “Groupama Arena” të Hungarisë. Stadiumi në të cilin luan skuadra e Ferencvaros në Hungari, ka kapacitet prej 24 mijë ulësesh.

Këtë stadium e kishte vizituar edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një vizite në Hungari në nëntor të vitit të kaluar.

Veseli, asokohe ishte shpreh optimist se së shpejti Republika e Kosovës dhe Hungaria do të gjejnë marrëveshje për financimin e këtij tipi të stadiumit për përfaqësuesen e Kosovës.

“Stadiumi i përfaqësueses së Kosovës do të fillojë të ndërtohet shumë shpejt, sapo ta përmbyllim marrëveshjen me shtetin hungarez, i cili do të na mundësojë një kredi me interes shumë të ulët për ndërtimin e stadiumit të përfaqësues tonë në futboll. Të rinjtë tanë e meritojnë një stadium të tillë dinjitoz dhe me standardet më të larta të kërkuara nga UEFA. Prandaj, ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ky projekt të nisë të realizohet shumë shpejt”, kishte thënë Veseli.

Në një deklaratë për medie, shefi i Departamentit të Sportit në Minsitrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, kishte thënë se projekti i këtij stadiumi parashihej të prezantohej në janar të këtij viti.

Megjithatë, ky projekt nuk u prezantua, e në vend të tij doli në pah oferta e një kompanie turke.

“Akay Construction INC” është kompania nga Turqia, e cila i ka prezantuar sot Qeverisë së Kosovës planin për ndërtimin e stadiumit kombëtar. Njëjtë sikurse qeveria hungareze, edhe kjo kompani ka ofruar kredi për ndërtimin e stadiumit.

Drejtori i kësaj kompanie turke, Ertan Olgun, sipas të cilit, ky stadium do të jetë gati për 18 muaj.

“Stadiumi do të jetë ndër 9 stadiumet më të bukura në botë dhe paratë do të jepen më kamata të ulët, ndoshta edhe pa kamatë. Stadiumi do t’i ketë 25 mijë ulëse”, ka thënë ai për RTK.

E kryeministri Isa Mustafa, javën e kaluar ka inspektuar tokën prej më shumë se 37 hektarësh në Bernicë, ku do të ndërtohet stadiumi nacional i Kosovës.

Por, edhe pse është caktuar vendi, ende nuk dihet se kur do të fillojë, e as kur do të përfundojë stadiumi që pritet të jetë modern me rreth 30 mijë ulëse.

I pari ekzekutivit të vendit, Mustafa, ka deklaruar se ende nuk i kanë siguruar mjetet për ndërtimin e stadiumit.

“Si Qeveri më vjen mirë që kemi arritur që të përmbyllim disa investime në disa fusha dhe që kemi krijuar hapësirë tani që të merremi me sportin. Edhe organizatat sportive, edhe qytetarët, por edhe rinia e meritojnë që ne t’i japim përparësi themelore kësaj fushe dhe ne do të bëjmë maksimumin që të sigurojmë mjete qoftë nga buxheti, qoftë nga organizatat e tjera dhe vendet e tjera”, kishte deklaruar Mustafa.

Stadium kombëtar kishte premtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA kishte thënë se ndërtimi i një stadiumi është obligim për institucionet e vendit. /Insajderi.com