Qeveria e Zvicrës, kundër iniciativës së pushimit të lindjes për baballarët

Qeveria e Zvicrës, kundër iniciativës së pushimit të lindjes për baballarët

Këshilli Federal i Zvicrës është shprehur kundër një Iniciative popullore në nivel vendi, e cila kërkon që edhe për baballarët (etërit) të caktohet një pushim për rastet e lindjes së fëmijëve. Kështu, qeveria e vendit i rekomandon parlamentit që të votojë kundër kësaj iniciative, shkruan sda.ch.

Iniciativa në fjalë kërkon që e drejta për një pushim katër javësh për meshkujt kur bëhen prindër, të fitojë bazën e saj ligjore, transmeton albinfo.ch. Ky pushim, sipas iniciatorëve, do të financohej përmes kompensimit të të ardhurave.

Këshilli Federal në rekomandimin e tij shkruan se, ndonëse e mirëkupton kërkesën, është i mendimit se një pushim i tillë do ta ngarkonte ekonominë. Për këtë arsye, vendimi për pranimin ose jo të “pushimit të lindjes për etërit” duhet t`u lihet në përgjegjësi punëdhënësve, gjegjësisht ndërmarrjeve.

Sipas qeverisë së vendit, prioritet në politikën familjare kanë ofertat që janë në dispozicion dhe ato që do të shtohen, për përkujdesjen e fëmijëve.