Spanja e politizon çështjen e sportistëve kosovarë dhe nuk tregon nëse do t’i pajisë me viza

Spanja e politizon çështjen e sportistëve kosovarë dhe nuk tregon nëse do t’i pajisë me viza

Spanja nuk ka treguar nëse do të lejojë pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare që do të mbahen gjatë verës së këtij viti në Tarragona të Spanjës, por ka theksuar se nëse lejohet pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra, kjo nuk do të thotë se do ta njohin shtetin e Kosovës.

Qeveria spanjolle ka thënë se “pjesëmarrja hipotetike” e sportistëve nga Kosova në Lojërat Mesdhetare në muajin qershor, nuk nënkupton “njohjen e të atij territori nga Mbretëria e Spanjës” dhe nuk ndryshon “pozicionin e Spanjës ndaj Kosovës”.

Kështu theksoi sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Qeverisë së Spanjës, Fernando Maura, i pyetur rreth përfshirjes së mundshme të Kosovës në Lojërat Mesdhetare, raporton Insporti.

Gjatë ditës së sotme, zëvendësdrejtori i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Pere Miro, ka zbuluar se Spanja nuk është duke i përgatitur vizat për atletët e Kosovës të regjistruar në Lojrat Mesdhetare, shkruan mediumi spanjoll EuropaPress.es.

“Komiteti Olimpik i Kosovës dhe organizata e Lojërave Mesdhetare na kanë kontaktuar për të na informuar [për çështjen e vizave v.j]. Nëse është një situatë reale, për të cilën unë shpresoj se nuk është, e konsiderojmë shqetësuese”, tha Miró në një intervistë për televizionin spanjoll RAC1.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar thekson se Spanja është duke shkelur rregullat ndërkombëtare të sportit, në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Miró rikujtoi se rregullat ndërkombëtare në këtë drejtim janë shumë të qarta: “Sporti gëzon një rezolutë të Kombeve të Bashkuara të vitit 2014 që riafirmon autonominë e sportit dhe atë rezolutë, është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara, përfshirë Spanjën”. /Insporti.com