Qeveria e Edi Ramës rikthen vendimin skandaloz për patatet nga Kosova

Qeveria e Edi Ramës rikthen vendimin skandaloz për patatet nga Kosova

Teksa deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për bashkimin e shqiptarëve në një shtet kishin shkaktuar debat të madh, i cili kishte mbërritur deri tek zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, të dy shtetet me shumicë shqiptare po ballafaqohen me probleme esenciale ekonomike.

Njëra prej çështjeve që ngriti shqetësime tek prodhuesit kosovarë, është rritja e referencës doganore për prodhimet nga Kosova nga ana e shtetit shqiptar. Më konkretisht, Dogana e Shqipërisë ka vendosur që të rrisë sërish referencën doganore për prodhuesit e patates në Kosovë.

Dogana e Shqipërisë ka vendosur sot që referenca tregtare për prodhimet kosovare të rritet. Këtë e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.

“Sot, në Odën Ekonomike të Kosovës qëndroi një grup i fermerëve dhe prodhuesve kosovarë që merren ekskluzivisht me prodhimin e qepëve dhe patateve ku shprehën shqetësimin e tyre për vështirësitë e eksportit të prodhimeve ‘Made in Kosova’ në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.

Këta prodhues, sipas OEK, janë ballafaquar me këto problem edhe në të kaluarën por gjithnjë duke menduar se këto sfida i takojnë të kaluarës pasi që janë organizuar debate të shumta dhe takime, qoftë në nivel të presidentëve apo edhe ministrave por problemet për bashkëpunim me Shqipërinë vazhdojnë edhe më tutje.

“Doganat e Shqipërisë kanë vendosur një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës të rritet referenca tregtare nga 0.14 në 0.18 Euro, që nënkupton një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e OEK.

Kjo rritje e referencës për prodhuesit e patateve në Kosovë erdhi vetëm disa vite pasi një debat i madh kishte shkaktuar uljen e referencës doganore për prodhuesit kosovarë të patates.

Referenca tregtare e vendosur nga Shqipëria ndaj prodhimeve kosovare në vitin 2009, ishte tri herë më e lartë sesa referenca doganore që Serbia kishte vendosur ndaj këtij produkti të prodhuar edhe në Kosovë. E për këtë referencë doganore ka pasur përplasje të mëdha mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, që nga viti 2009.

Fillimisht, referenca doganore për pataten kosovarë në Doganën e Shqipërisë ishte 0.24 cent, gjë që ia bënte pothuajse të pamundur prodhuesve kosovare konkurrimin në tregun shqiptar, raporton Insajderi.

Kjo referencë ishte ulur tek në vitin 2012, kur pas një debati të gjatë, Ministria e Tregtisë së Shqipërisë kishte konfirmuar se çmimi i referencës për patatet kosovare ishte rikthyer në atë të mëparshmën, 18 cent.

Nga referenca prej 24 centëve, ajo ishte ulur në 18 cent, raporton Insajderi.

Pikërisht për referencën doganore të Shqipërisë të vendosur ndaj Kosovës, ish-ministrja e Tregtisë në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila kishte vendosur të “bllokojë” përkohësisht hyrjen e çimentos së Shqipërisë në Kosovë, në qershor të vitit 2012.

Sipas saj, kompanitë që e importojnë nga vendi ynë këtë mall, lëndë të parë të rëndësishme për sektorin e ndërtimit, duhej të paguanin një tarifë prej 35% të vlerës së importuar dhe kjo bëhet për të mbrojtur prodhimin e vendit.

Pra, ishte vendosur një normë tejet e lartë e çmimit të referencës, ashtu sikurse ministria shqiptare e Financave ka vendosur për pataten e prodhuar në Kosovë. /Insajderi.com

Insajderi sjell hulumtimin për historinë e EL Chapo`s kosovar: I burgosuri që përfitoi 11 tenderë