Qeveria cakton Këshillin për ceremoninë mortore të Bajram Rexhepit

Mbledhja e Qeverisë ka nisur sot me një minutë heshtje në nderim të ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili ndërroi jetë sot në orët e hershme të mëngjesit.

Po ashtu, nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është themeluar Këshilli i veçantë i organizimit të ceremonisë mortore.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se është e vështirë që të përshkruhet veprimtaria e Bajram Rexhepit. Sipas tij, ai ka qenë një politikan i pranuar nga të gjithë, pjesëmarrës në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një atdhetar i devotshëm.

“Jemi mirënjohës Bajram Rexhepit për kontributin si para dhe pasluftës. Ndarja nga jeta është humbje e madhe për familjen, Kosovën dhe bashkëveprimtarët. Ai ka qenë në periudhën 2002 – 2004, kryeministër i vendit dhe ka ushtruar funksione të rëndësishme shtetërore”, ka shtuar Mustafa.