Qeriqi “ultimatum” Qeverisë

Qeriqi “ultimatum” Qeverisë

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, ‘kërcënon’ me protesta të premten nëse Qeveria nuk e tërheq vendimin me të cilin familjeve të dëshmorëve ua kushtëzon të drejtën e pensionit.

Qeriqi këtë vendim të Qeverisë, përveç antiligjor, e ka quajtur edhe si të turpshëm.

“Qeveria e republikës së Kosovës, kishte marrë një veprim apo vendim të kundërligjshëm, ku familjeve të dëshmorëve ua kushtëzon të drejtën e pensionit të dëshmorëve, jo që është vendim anti ligjor,por është vendim i turpshëm”, shkruan Qeriqi në llogarinë e tij në Facebook.

“Ne kërkojm nga kryeministri dhe kabineti qeveritar,që kët vendim ta anuloj, dhe familjeve të dëshmorëve tua kryej obligimet ligjore në të kundërten nëse qeveria nuk reflekton në kët drejtim, deri ditën e enjëte, atëher ne jemi të detyruar që të premten të protestojm në mbrojtje të familjeve të dëshmorëve dhe të drejtave të tyre”, ka shkruar më tej Qeriqi.

Ai ka kërkuar nga bashkëluftëtarët që të jenë “unik në të drejtën tonë ligjore që na takon”.

Qeriqi i ka bërë apel Qeverisë që të mos u hyjë në hak luftëtarëve, por të merr veprime për pastrimin e listave, dhe t’i heqë, siç ka thënë ai “militantë, aktivistë të tyre, t’i largojnë ata miq e jarana që i kanë futur në këto lista, ku këta të fundit po ua hanë hakun atyre që luftuan, u sakrifikuan dhe u flijuan për çlirimin e Kosovës”./Insajderi.com