Qëndrimi i Vetëvendosjes kundër Demarkacionit i hap rrugë Listës Serbe ta kushtëzojë Qeverinë

Qëndrimet aktuale të partive politike, por edhe të disa deputetëve veç e veç, bëjnë që Marrëveshja e Demarkacionit vështirë se mund të kalojë të mërkurën kur edhe është caktuar të mbahet seanca. Në një kalkulim ekstrem të votave pro Demarkacionit, del se nuk janë më shumë se 78 vota nga 80 sosh sa duhet të jenë.

Qëndrimi i Vetëvendosjes kundër Demarkacionit i hap rrugë Listës Serbe ta kushtëzojë Qeverinë

Nëse i marrim për bazë qëndrimet e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, prapë del se nuk sigurohen votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes. Sepse PDK i ka 23 deputetë, LDK i ka 27, AAK i ka 10 dhe Nisma i ka 6 të tillë. Gjithsej dalin 66 deputet.

Por nëse këtu i përfshijmë edhe 6 deputetët e grupit parlamentar 6+, atëherë bëjnë 72 deputetë pro marrëveshjes, që nuk janë të mjaftueshme.

Nëse në këtë kalkulim i fusim edhe 6 deputetët tjerë që janë pa grup parlamentar, atëherë numri i votave arrin në 78, që sërish nuk mjaftojnë.

Megjithatë, ky kalkulim mund të mos jetë i sigurt. Puna këtu vështirësohet nëse i marrim parasysh edhe qëndrimet e disa deputetëve që e kanë deklaruar votën kundër.

Atëherë, koalicionit qeverisës i duhet domosdo të kërkojë vota nga partitë tjera, siç është Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Vetëvendosje e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë marrëveshjen si të tillë, duke konsideruar se me të Kosova humb territor.

Të njëjtin qëndrim e ka dhënë edhe Lista Serbe, por pa e përmendur humbjen e territorit si arsyetim. Sipas kësaj partie, ata janë të interesuar ta themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Ndaj Listës Serbe ka nisur të ushtrohet edhe “presion” publik, duke u thënë deputetëve të saj se vota e tyre pro Demarkacionit e legjitimon Kosovën si shtet.

Jo rrallëherë Lista Serbe ka luajtur rol vendimtar në Kosovë, sidomos në krijimin e institucioneve, gjegjësisht Qeverisë.

Qëndrimi i Vetëvendosjes kundër marrëveshjes së Demarkacionit mund ta çojë qeverinë para aktit të kryer, ku do të varej ekskluzivisht nga votat e Listës Serbe.

Javën e kaluar Marrëveshja për Demarkacion shkoi në Kuvend, por nuk u hodh në votim pasi nuk ishin siguruar votat e mjaftueshme.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e shtyu seancën për një ditë më vonë. Por as të nesërmen nuk u hodh në votim për shkak të votave.

Seanca e radhës është caktuar për të mërkurës (28 shkurt), ku liderët e partive në pushtet kanë shprehur bindjen se marrëveshja do t’i marrë votat e mjaftueshme.

Por, sa më shumë që po afrohet dita e votimit, aq më skeptike po bëhet situata. Skepticizmi po vjen nga partitë në pushtet.

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se koha më e mirë për të kaluar Demarkacioni në votim është java e dytë e muajit mars, përderisa kreu i Kuvendit, Kadri Veseli (PDK), thotë se të mërkurën do të sigurohen votat.

Thirrje për votim të mërkurën ka bërë edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili erdhi në pushtet mbi kauzën e kundërshtimit të kësaj marrëveshjeje.

Por, sipas tij, arritja e aneks-marrëveshjes mes presidentëve të të dyja vendeve, e cila i hap rrugë korrigjimit të gabimeve në demarkimin e kufirit, ka mjaftuar që ai ta ndryshojë bindjen e tij, duke thënë se tash janë krijuar rrethana tjera./Insajderi.com