Qëndrimi i ministrit Abelard Tahiri rreth deklaratave të kryeministrit

Qëndrimi i ministrit Abelard Tahiri rreth deklaratave të kryeministrit

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka vendosur të ndajë një shumë prej 290 mijë euro për familjet e grupit që u akuzua nga drejtësia maqedonase për rastin e Kumanovës.

Por, ky vendim kishte shkaktuar përplasje në mes kryeministrit dhe vartësve të tij. Detajet rreth kësaj i ka zbuluar vetë kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për një televizion nacional.

“E kom thirrë ministrin e Drejtësisë, a pe bon një propozim diqysh, tha po kqyri me vet qysh shkon, edhe i mshova vet prej zyrës së kryeminsitrit, shpejt e shpejt”, ka thënë Haradinaj.

“Në këto raste gjykimi i im është i shpejtë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa ministri Abelard Tahiri, i pyetur nga gazeta Insajderi, nuk ka dashur të komentoj rreth këtij rasti.

“Unë jam ministër i Qeverisë së z.Haradinaj dhe unë nuk i komentoj qëndrimet e kryeministrit”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se ai është vendim i Qeverisë, dhe tashmë është fakt i kryer.

“Është vendim i Qeverisë së Kosovës. Nuk mund të komentoj asgjë më shumë”, ka thënë Tahiri.

“Është e pahijshme nga unë që të komentoj një vendim të tillë”, ka thënë më tej Tahiri. “Ne jemi një trup dhe vendimet tona janë të përbashkëta”.

Ai ka thënë se si vendim është në përputhje ligjore pasi është marrë nga Qeveria.

“Kryeministri vetëm e ka propozuar dhe Qeveria e ka miratuar”, ka thënë Tahiri.

Pjesëtarët e Grupit Kumanova u dënuan më gjithsej 746 vjet burg. Me burg të përjetshëm u dënuan shtatë persona, ndërsa vetëm katër u liruan nga aktakuza. 15 prej tyre janë shtetas të Republikës së Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka ngjallur reagime të shumta, si nga pala maqedonase, ashtu edhe nga palë të tjera.

Por, kryeministri Ramush Hradinaj ka deklaruar se nuk i ka rënë pishman.