Drejtori i organizatës norvegjeze dyshon se po merr kërcënime nga Kosova

12.03.2017 23:56
Drejtori i organizatës norvegjeze dyshon se po merr kërcënime nga Kosova

Në vitin 2012 në Telemark të Norvegjisë, një gruaje norvegjeze, e cila ishte e martuar me një kosovar, i ishte privuar e drejta për përkujdesje ndaj fëmijëve të saj.

Arsyeja ishte e kaluara kriminale e të dy prindërve me ç’rast fëmijët ishin dërguar në një qendër për mirëqenie të fëmijëve.

Që prej asaj kohe puna për drejtorin e qendrës për mirëqenien e fëmijëve, Dag Bratberg, nuk ka qenë e njëjtë.

Gjatë tërë këtyre viteve nën kërcënim ai është i lodhur dhe i frikësuar sa që tani konsideron edhe dorëheqjen.

Bratberg ka marrë mesazhe se do ta “gjuajnë në një natë të errët”, do ta “ndjejë zemërimin e saj” dhe do të “ndëshkohen fëmijët e tij dhe të punëtorëve të tjerë”, shkruan gazeta norvegjeze Dagbladet.

Së fundi i ka ardhur edhe një kërcënim me mesazh që do vijnë njerëz nga jashtë Norvegjisë për ta vrarë.

“E di me siguri që janë nisur për në Norvegji njerëz me të vetmin qëllim të hakmerren për atë që ua keni bërë fëmijëve dhe neve”, ka shkruar ajo në një mesazh telefonik.

Bratberg pret me frikë se vrasësit do vijnë nga Kosova. Ndërsa norvegjezja ka thënë që ky është një paralajmërim.

“Metoda e tyre është t’ia presin gurmazin viktimës nga njëri vesh në tjetrin. Ata nuk shfaqin aspak mëshirë,” ka shkruar ajo ndër tjerash.

Situata kishte arritur majën në verë të vitit 2014 kur qendra ishte në ekskursion.

“Kur u kthyem rrugët në zyret tona ishin të shpërthyera me eksplozivë,” tha Bratbeg.

Pos rrugëve të shkatërruara ka pasur edhe thyerje xhamash të qendrës.

sulmi

“Ne e pamë si shumë frikësuese. Kjo shkaktoi trauma në shumë prej neve,” tha ai.

Kërcënimin më të madh drejtori i ndjen nga ish-burri i norvegjezes me të kaluar të rëndë kriminale, i cili është nga Kosova.

Në vitin 1987 ky burrë kishte ardhur në Norvegji duke kërkuar azil me një emër të rrejshëm, jo shumë më vonë ai ishte martuar me gruan nga çarku i Telemarkut.

Më pas ai kishte kërkuar leje-qëndrim si një burrë i martuar që ishte.

Pesë muaj pas kësaj ai ishte akuzuar dhe një vit më pas ishte dënuar për dy grabitje të rënda me armë, një grabitje të thjeshtë, një tentim grabitje të madhe dhe shtatë vjedhje serioze.

Edhe gruaja ishte dënuar me dy vite burgim për ndërlidhje me rastin, ndërsa më vonë ishte dënuar për posedim të fishekëve dhe disa rasteve tjera.

Pas gjykimit ata ishin ndarë, ndërsa burri ishte dëbuar nga Norvegjia.

Kosovari ishte kthyer disa herë me emër të rrejshëm për tu bashkuar me norvegjezen.

Ndërkohë u kishin lindur edhe fëmijë, e në vitin 2004 ata ishin martuar përsëri.

Ai ishte munduar të fitonte qëndrimin përmes martesës përsëri, por nuk kishte pasur sukses dhe në fund ishte dëbuar sërish nga Norvegjia.

Drejtori Bratberg dhe punëtorët e qendrës janë të frikësuar për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre shkaku i kërcënimeve të vazhdueshme, dhe kanë frikë se derisa policia dhe autoriteti të reagojnë do të jetë shumë vonë.

Shumë punëtorë edhe kanë lënë punën nga frika.

Ndërsa avokati i kosovarit, Sven Morten Torsnes, i cili këto kohë është munduar pa sukses të vihet në kontakt me klientin e tij apo ish-gruan e tij, thotë që kosovari nuk përbën ndonjë kërcënim.

“Ai asnjëherë nuk ka shfaqur shenja të sjelljes agresive. Prandaj edhe nuk mund ta paramendoj që mund të dalë me kërcënime e aq më pak të bëjë sjellje të dhunës ndaj zyrtarëve të qendrës dhe policisë,” shkruan ai.

Ai e përshkruan kosovarin si një qytetar bashkëpunues me vlera dhe një njeri i mirë familjar. Ndërsa krimet e mëhershme ishin të lidhura me komunitetin prej nga ai erdhi.