Qemajl Mustafa përballet sërish me drejtësinë

Qemajl Mustafa përballet sërish me drejtësinë

Ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, do të përballet sërish me drejtësinë pasi që prokuroria pretendon se ai ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë kohës sa ishte i pari i komunës.

Në aktakuzën kundër Mustafës – të cilën e ka siguruar Insajderi – thuhet se Mustafa ka tejkaluar kompetencat e tij me nënshkrimin e një marrëveshje në vitin 2012, “me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, apo shkaktimin e dëmit personit tjetër.”

Bëhet fjalë për një marrëveshje të partneritetit publiko-privat për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët aksionare “Eco Higjiena”, me autoritetin kontraktues privat, Christian Moser, drejtor i firmës austriake Moser Grup “mbi bashkimin e mjeteve dhe kapitalit në proporcion 51% për partneritetin privat dhe 49% për partneritetin publik”.

Sipas aktakuzës, Mustafa si “autoritet kontraktues” nuk ka vepruar konform ligjeve dhe konditave të marrëveshjes “për të kërkuar nga autoriteti kontraktues privat përmbushjen e obligimeve që ka pasur me marrëveshjen për realizmin e investimeve të zotuara prej 1,500,000,00 për periudhën gjatë viteve 2012, 2013, 2014”.

Në fakt, sipas prokurorisë, investimet kanë arritur vetëm deri në 542,243,56 euro “ndërsa nuk ka përmbushur shumën e investimeve prej 957.756.55 euro, gjendje kjo që ka ndikuar negativisht në profitabilitetin e subjektit përkatës”.

Prokuroria pretendon se Mustafa ka neglizhuar edhe të paraqesë raportet vjetore rreth këtij partneriteti dhe rrjedhimisht “i ka shkaktuar dëm material partneritetit publik, përkatësisht KRM “Higjiena”.

Poashtu, sipas prokurorisë, ai nuk ka shfrytëzuar të drejtën sipas nenit 16 të marrëveshjes për ndërprerjen e partneritetit për shkak të shkeljeve të detyrimeve nga partneriteti tjetër privat.

Sipas prokurorisë, marrëveshja është nënshkruar bazuar në një ligj që ishte shfuqizuar me nxjerrjen e ligjit të ri për partneritetin publiko-privat, “e që marrëveshja është në kundërshtim” me dy nene të këtij ligji “ngase e njëjta është nënshkruar pa sigurimin paraprak të pëlqimit nga Qeveria e Kosovës”.

Megjithatë, në aktgjykim thuhet se Mustafa ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje ligjore. Në deklaratën e tij dhënë në prokurori, nuk e ka kontestuar faktin ka nënshkruar marrëveshjen, por thekson se këtë e ka bërë në pajtim me Ligjin mbi qeverisjen lokale.

Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2016 kishte ngritur një tjetër aktakuzë për Mustafën gjë që kishte nxitur atë të dorëhiqej nga pozita e anëtarit të bordit në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE)./Insajderi.com