Qasja joaktive e kryeministri Mustafa solli presidentin Thaçi në bisedime

Qasja joaktive e kryeministri Mustafa solli presidentin Thaçi në bisedime

Në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, kishte nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Asokohe ishte takuar në Bruksel me homologun e tij serb, Ivica Daçiq. Bisedimet lehtësoheshin nga Bashkimi Evropian, si garantuese e këtij procesi.

Hashim Thaçi sërish pritet t’i kthehet dialogut me homologun e tij serb, Tomislav Nikoniq, por kësaj here nga pozita e presidentit të vendit.

Ndryshimin e nivelit të dialogut me Serbinë e ka konfirmuar vetë ai.

“Përfundimisht ka ardhur koha që të hapet kapitulli i fundit i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër edhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiq, tha gjatë ditës së diel duke konfirmuar se së bashkë me të në takim do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç.

“Mendoj që shqiptarët do t’i sjellin përfaqësuesit më të lartë. Shpresoj që do të ketë arsye të mjaftueshme dhe qasje racionale, në mënyrë që më kurrë të mos përsëritet sjellja e mjeteve luftarake dhe e armëve, në mjediset e banuara me serbë dhe që me këtë të tregohen muskujt”, tha kryeministri serb.

Në këto format të bisedimeve pritet të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tashmë është mësuar ta takojë homologun e tij serb në bisedime në Bruksel.

Mushkolaj: Presidenti Thaçi shkon në bisedime për shkak të qasjes joaktive të kryeministrit Mustafa

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë për Gazetën Insajderi se përfshirja e presidentit Thaçi në këtë fazë ndodh për shkak të qasjes të zbehtë dhe joaktive të kryeministrit Mustafa në këtë proces.

“Përfshirja e presidentit Thaçi në këtë fazë mund të shihet edhe nga prizmi i qasjes joaktive dhe të zbehtë të kryeministrit Isa Mustafa në proces. Me logjikën e barazimit, është dashur që formalisht të përfshihet edhe Nikoliq, edhe pse është në fund të mandatit”, thotë Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, pala kosovare duhet të mos e lejojë që agjenda të përcaktohet nga dikush tjetër, ndërkohë që nuk mendon se Serbia ta njohë Kosovën si shtet ashtu siç është deklaruar ministrja për e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri.

Opozita kërkon të mos nisë ky format dialogu me Serbinë pas provokimeve të fundit

Opozita tash e një kohë të gjatë ka kërkuar që të pezullohen këto bisedime me Serbinë përmes të cilave, sipas opozitës, po behët nënshtrimi i Kosovës ndaj Serbisë.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se nuk ka kuptim të dialogohet me Serbinë pas të gjitha këtyre provokimeve.

Sipas tij, këto nuk u bëjnë përshtypje krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës, prandaj edhe thonë se dialogu është zgjidhja më e mirë karshi Serbisë.

“Pas gjithë këtyre dëmeve, rreziqeve, kërcënimeve, trenave, mureve, ndarjes e krimit, për Thaçin, Mustafën e Veselin prapë dialogu me Serbinë qenka zgjidhja. Dialog pa kurrfarë kushti, nënshtrues e poshtërues për Kosovën. Që drejtohet nga të nënshtruarit, të shantazhuarit e të poshtëruarit”, ka shkruar Ymeri.

Kurse Nisma për Kosovën konsideron se paralajmërimi për një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë për ditën e nesërme në Bruksel është tërësisht në funksion të interesave të Serbisë dhe aspak në interes të Kosovës.

Nisma ka thënë se vazhdimi i këtij lloji të dialogut të filluar në vitin 2011, në të cilin në vazhdimësi Kosova ka qenë objekt dhe jo palë e barabartë, duhet të ndërpritet menjëherë.

“NISMA për Kosovën konsideron se vazhdimi i këtyre bisedimeve pas provokimeve dhe kërcënimeve të një pas njëshme nga ana e Serbisë duke filluar nga Asociacioni i Komunave Serbe e duke vazhduar me ndërtimin e murit që ndanë qytetin e Mitrovicës, ndalimin e Ramush Haradinajt nga Interpoli në Francë me urdhër arrest të lëshuar nga Serbia dhe provokimi me Trenin Rus nuk është asgjë tjetër pos nënshtrim ndaj Serbisë dhe shitje e interesave të vendit për interesa personale të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës”, thuhet në reagim./Insajderi.com