PZAP të enjten vendos a do të shkojë Prishtina në rinumërim

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka paraqitur katër ankesa në PZAP, lidhur me procesin zgjedhor. PDK i ka paraqitur tri ankesa, Vetëvendosje 1, dhe Alternativa i ka paraqitur dy ankesa të cilat janë duke u shqyrtuar.

Kështu tha për KosovaPress kryesuesi i PZAP-së Mul Desku, i cili ka folur për ankesat e partive politike lidhur me parregullsitë që pretendojnë që ka ndodhur gjatë procesit zgjedhor që u mbajt më 19 nëntor.

“Alternativa dy ankesa. PDK i ka paraqitur tri ankesa. LDK i ka paraqitur katër ankesa dhe VV e ka paraqitur një ankesë… Sa i përket Prishtinës, LDK që ka kërkuar rinumërim të vendvotimeve në komunën e Prishtinës, ka paraqitur një ankesë me të cilën kërkon rinumërimin me pretendimet dhe me faktet që i ka prezantuar që ka pasur parregullsi siç janë: mospërputhja e nënshkrimeve në listat votuese me votat që kanë qenë në kutitë e votimit. Pastaj ka paraqitur si pretendim apo si fakt pavlefshmërinë apo shpalljen e një numri të konsiderueshëm të fletëvotimeve të pavlefshme. Ka theksuar në ankesë se ka rreth 600 fletëvotime të pavlefshme dhe rreth 500 fletëvotime të zbrazëta. Këto janë disa arsye dhe mos përputhja e disa rezultateve në formularët e rezultateve dhe formularët e kandidatëve. këto janë disa fakte me të cilat pretendohet se ka pasur parregullsi. LDK kërkon rinumërim në të gjitha vendvotimet në komunën e Prishtinës”, tha Desku.