Punëtori i Bashkisë që u përballë me flakët në Pogradec

Punëtori i Bashkisë që u përballë me flakët në Pogradec

Një punonjës i Bashkisë së Pogradecit ka mbetur i plagosur pasditen e së martës në përpjekje për të shuar flakët që kishin përfshirë një masiv me shkurre në fshatin Pojskë.

Punonjësi është plagosur si pasojë e shpërthimit të një mjeti shpërthyes i cili ende nuk është identifikuar, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, një vatër zjarri është shënuar në orët e padites së të martës në Malin e Dajtit. Flakët, të ndihmuara nga era, kanë përparuar me shpejtësi drejt majës së malit, duke rrezikuar edhe një objekt të rëndësisë së veçantë. Në pamundësi për ndërhyrjen e zjarrfikësve për shkak të terrenit, u angazhua menjëherë një helikopter që ka bërë të mundur lokalizmin e flakëve dhe vënien nën kontroll.

Thuajse në të njëjtën kohë, një tjetër vatër zjarri u shfaq në kodrat e fshatit Ibë, në Tiranë. Edhe këtu era favorizoi përparimin e shpejtë të flakëve drejt majës së kodrës. Siç duket edhe nga pamjet filmike, por fatmirësisht pa rrezikuar banesat. Ndërkohë, gjatë ditës së martë janë regjistruar edhe disa vatra të tjera zjarri në zona me pyje dhe shkurre, ku më seriozja ishin flakët që pushtuan malin e Llogarasë, ku u desh ndërhyrja e dy helikopterëve për të vënë nën kontroll zjarret.

Ndërkohë, po në Llogara u bllokua për disa minuta qarkullimi, pasi një automjet mori flakë në rrugë. Operacione kundër zjarrit gjatë kësaj të marte janë zhvilluar edhe në Velipojë, ku përveç bimësisë së djegur, fatmirësisht nuk ka patur dëme në njerëz apo në banesa./TCH