Reagimi i deputetit të LDK-së për deklaratën – “Punë e madhe nëse janë vra anëtarët e LDK-së”

Reagimi i deputetit të LDK-së për deklaratën – “Punë e madhe nëse janë vra anëtarët e LDK-së”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka kritikuar ashpër deklaratën e Nasim Haradinajt nga OVL e UÇK-së, i cili dje gjatë një interviste për vrasjet e pasluftës ka thënë se “punë e madhe nëse janë vrarë anëtarët e LDK-së”.

Selmanaj në një deklaratë për Insajderin ka thënë se pret që nga organizata që Haradinaj përfaqëson si dhe nga institucionet e tjera të distancohen nga kjo deklaratë. Sipas tij nëse kjo është qasja e këtyre organizatave atëherë ata qenkan përgjegjës për këto vrasje.

“Unë pres që sot, që organizata që ai përfaqëson dhe institucionet e tjera që thirren në ato vlera të distancohet përndryshe nëse kjo është qasja e këtyre organizatave, atëherë vërtetë ata qenkan përgjegjës për këto, nëse për ta nuk kanë rëndësi vrasjet politike pas luftës, nëse për ta nuk ka rëndësi, vrasja e dikujt vetëm përse ka  mendua ndryshe, vërtetë këto organizata kanë probleme serioze edhe me organizimin e tyre edhe me angazhimin e tyre publike në Kosovë”.

“Unë pres që sot të distancohen jo vetëm nga një deklaratë e papërgjegjshme por mendoj, nuk po arrijë të gjej fjalë ta përshkruaj, tërësisht në kundërshtim me çdo angazhim që ka pasur secili  njeri për lirin e Kosovës, mos të flas për atë organizatë e cila duhet të mbronte aspiratën tonë për liri dhe pavarësi”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj më tej ka thënë se një diskurs dhe një mentalitet i tillë ka qenë dhe vazhdon të mbretërojë në shumicën e këtyre personave që janë në krye të kësaj organizate. Ai më tej ka thënë se këta njerëz që janë në krye të këtyre organizatave më shumë i kanë sjellë dëme Kosovës, sesa dobi.

“Në fakt ka qenë diskursi i heshtur brenda kësaj organizate, kjo mendësi ky mentalitet, kjo qasje mbretëron në shumicën e njerëzve që janë në krye të kësaj organizate. Jo vetëm të veteranëve të luftës por edhe të organizatave të tjera të ngjashme qoftë asaj invalidëve të luftës apo familje të dëshmorëve sepse pothuajse angazhimi i udhëheqësve të këtyre organizatave janë një grup njerëz të cilët kam një përshtypje që më shumë i kanë sjellë dëme Kosovës sidomos pas luftës, sesa ndonjë dobi. Dhe ky diskurs dhe kjo qasje mbretëron që nga lufta fillimisht brenda strukturave që janë të angazhuar edhe në struktura tjera. Dhe më pas edhe pas themelimit të tyre shoqatave unë kam përshtypje këta njerëz mas shumti bartin vlera të luftës këta në fakt i kanë privatizua këto vlera të luftës dhe si të tillë kjo mendësi është në funksion dhe vlerat e luftës i shohin vetëm për ta shkatërruar këtë vend, gllabëru këtë vend, por assesi për të arrit qëllimin e vetë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Selamanaj për Insajderin.

Selmanaj ka thënë se këto organizata janë bërë pjesë e agjendave politike.

“Ata janë pjesë e një agjende politike po të kishin këtë përpjekje do të flisnin para 2 viteve kur është miratua ligji për dhomat e specializuar të Gjykatës Special, atëherë nuk iu është dëgjua zëri fare, atëherë kanë qenë të mbështetur nga presidenti, Thaçi kanë qenë të mbështetur nga PDK-ja për të cilët kanë një afërsi të madhe, mos të them që janë të krijuam nga ta dhe tash dikujt i ka ra ndër mend që ky proces ka qenë gabim dhe duhet me u ndryshua. Ata nuk duhet të bëhen pjesë e agjendave politike por të investojnë në arkivimin apo them në kultivimin në vlerat e luftës të cilat vetë ata kanë luftua. Çdo tendencë për të dal nga kjo është vetë shkatërruese nga kjo organizatë”, ka thënë Selmanaj./Insajderi.com

Haradinaj nga OVL e UÇK-së: Punë e madhe që janë vra anëtarët e LDK-së