Puigdemont: Po më trajtojnë si pedofil, kriminel e vrasës

Puigdemont: Po më trajtojnë si pedofil, kriminel e vrasës

Presidenti katalonas, Carles Puigdemont akuzon qeverinë spanjolle për “dëmtimin e demokracisë”, pasi e larguan atë nga pushteti e më pas lëshoi urdhërarrest për të.

Puigdemont u arratis në Belgjikë për t’i shpëtuar akuzave penale në Spanjë, ndërsa thotë se ai po trajtohet sikur të ishte një “pedofil”, transmeton Koha.net.

Kreu separatist aktualisht gjendet në Bruksel. Ai dhe katër ministra të tij janë subjekt i një urdhërarresti mbi akuza, përfshirë edhe rebelimin, kryengritjen dhe keqpërdorimin e fondeve.

Nga Brukseli, ai ka thënë se po “trajtohet si kriminel, trafikant droge, pedofil e vrasës serial”, ndërsa ka shtuar se gjykata spanjolle këtë po e përdor vetëm për të bërë politikë.

“Ky është kërcënim sepse krimi për të cilin më akuzojnë mund të rezultojë me 30 vjet burgim. Është çmenduri. Kjo s’është drejtësi, është hakmarrje”, ka thënë ai.

“Unë nuk jam rebel. Nuk kam frymë rebeli e as dëshirë për të qenë i tillë. E konsideroj veten shumë të disiplinuar. Dua vetëm të bëjë atë që parlamenti im e ka miratuar”, ka përfunduar Puigdemont.

Puigdemont iu dorëzua autoriteteve belge pak pasi mbërriti në Bruksel në fund të muajit të kaluar.