Pse u hoq flamuri i Kosovës kur Odaloviq i Serbisë foli në Prishtinë

Pse u hoq flamuri i Kosovës kur Odaloviq i Serbisë foli në Prishtinë

Velko Odaloviq, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Serbe, dje u largua nga një konferencë në Kroaci në shenjë revolte, kur një zëvendësministër kroat i tha atij se të gjitha ‘të këqijat në rajon vijnë nga Beogradi’.

Por, pak ditë më herët, Odaloviq ishte i ftuar gjithashtu në një konferencë për të pagjeturit në Prishtinë, dhe ishte futur në sallë vetëm pas përfundimit të fjalimit të presidentit Hashim Thaçi. Presidenti Thaçi, me të përfunduar fjalimin, ishte larguar nga salla e konferencës, dhe bashkë me të, ishte larguar edhe flamuri i Republikës së Kosovës, që ishte vendosur për fjalimin e tij.

Në shenjë proteste, Velko Odaloviq, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, doli nga një konferencë për të zhdukurit nga luftërat në Ballkan, që po mbahej në Zagreb të Kroacisë, raporton KTV.

Shkak u bë një deklaratë e zëvendësministrit kroat, Stjepan Suçiq, që i tha se burimi i të gjithë të këqijave në rajon është Beogradi, fjalë që për Odaloviq ishin fyese.

“Nuk kam pritur që fjalë kaq të rënda të thuhen ndaj Republikës së Serbisë dhe organeve të saj, pa qenë të provokuar me asgjë, nga akuzat se kemi okupuar territore, se kemi kryer agresion serbomadh, deri te fjalia e fundit që ishte aq e rëndë, se jemi fatkeqësi e rajonit, se kemi ardhur nga Beogradi.”

Në anën tjetër, Susiç, mediave jashtë sallës së konferencës u kishte thënë se Serbia kishte informata të sakta për varrezat masive, por të njëjtat i fsheh.

Në këtë konferencë kanë qëndruar edhe drejtuesit e Komisionit për Persona të Pagjetur nga Kosova, që i kanë thënë KTV-së se Susiq, vetëm shprehu një çështje që ishte ngritur edhe më herët, se pa hapjen e arkivave të ish-ushtrisë Jugosllave nuk do të ketë progres në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Odaloviq në këtë konferencë ishte në cilësinë e kryetarit të Komisionit serb për Personat e Pagjetur.

Javën e kaluar ai kishte qëndruar në Prishtinë, në konferencën “Sfidat në Identifikim” organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.

Odaloviq as që ishte dukur në sallë, derisa nga aty ishte larguar presidenti Hashim Thaçi, e bashkë me të edhe flamuri i Republikës së Kosovës.

Në pyetjet se kush e kishte vendosur e hequr më pas flamurin, KTV-ja nuk ka marrë përgjigje, derisa në një prononcim, këshilltari Ardian Arifaj, ka thënë se për këtë çështje duhet pyetur organizatorët.

Bajram Çerkini, bashkëthemelues i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, ka konfirmuar mosprezencën e Odaloviqit, gjatë fjalimit të Thaçit.

Çerkini ka thënë se nuk kishin planifikuar të vendosnin ndonjë flamur, dhe nuk kishte informata se kush e kishte vendosur, apo hequr atë.

Mbështetës financiar të kësaj konference, ishin Ambasada Britanike në Kosovë, që në një përgjigje me shkrim, të pyetur nëse ka qenë një gjë e tillë kërkesë e sekretarit Odaloviq, e kanë mohuar një gjë të tillë.

“Flamuri u largua nga hoteli menjëherë pasi presidenti u largua nga konferenca dhe para se ndonjë folës i panelit të fillonte kontributin e tyre në konferencë, përfshirë kontributin e përfaqësuesit të ambasadës britanike”, ka thënë zëdhënësja e Ambasadës, Merita Salihu – Munipi.